Ushtria merr në mbrojtje Rinasin, por Presidenti kërkon informacion

Më të fundit


Duket se Presidenti Ilir Meta ka rezerva në lidhje me vendimin e qeverisë që siguria në aeroportin e Rinasit të garantohet nga Ushtria.

Gjatë ditës së sotme zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka konfirmuar se presidenti i Republikës i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Bardhyl Kollçaku se kush është baza ligjore të cilës i është referuar Ministria e Mbrojtjes,  për të vendosur efektivët e Policisë Ushtarake dhe Batalionin e Forcave të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportin “Nënën Tereza”.

 “Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza. Pasi të ketë një informacion më të plotë mund të bëjë një reagim publik”, thekson zëdhënësi i Presidentit.

Një ditë më parë ka qenë vetë ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila njoftoi që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” do të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura. Sipas saj kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian për garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë.

Pritet të kemi një tjetër reagim nga presidenti në orët në vijim.



Skip to toolbar