Vakanca e Muçit, tre të rrëzuar nga KED e provojnë sërish te lista e Metës

#NËRADAR


Presidenti i Republikës ka shpallur listën e dhjetë kandidatëve që kanë aplikuar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese pas vakancës së parakohshme të krijuar me shkarkimin nga KPA të Besnik Muçit. Por, ajo që vihet re nga dhjetë kandidatët që kanë aplikuar te Presidenti Meta, tre prej tyre janë rrëzuar gjatë vitit 2019 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ndaluar për të kandiduar për Gjykatën Kushtetuese, por ata kanë vendosur ta provojnë sërish me KED-në e re, e cila u zgjodh me short vetëm pak javë më parë nga Presidenti Meta.

Një prej këtyre kandidatëve, që nuk është rrëzuar vetëm një herë, por dy herë nga KED, edhe pasi mori një vendim nga Gjykata Administrative është edhe Zhaklina Peto, e cila më 9 shtator 2019 u ndalua për të kandiduar për probleme me pasurinë. Madje, pritja e vendimit të Gjykatës Administrative dhe rishqyrtimi i çështjes së Petos nga KED, solli edhe vonesa në shpalljen e renditjes përfundimtare të kandidatëve të lejuar për Gjykatën Kushtetuese.


Dy kandidatët e tjerë që janë ndaluar nga KED për të kandiduar për Gjykatën Kushtetuese, por që e kanë provuar sërish janë Dedë Kasneci dhe Sinan Tafaj. Më herët, Avokati Tafaj, i cili është kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, ka bërë kërkesë kundër KED, duke kundërshtuar tre vendime të KED, për kandidaturat e tij, por më 22 Gusht, Gjykata e Apelit Administrativ i ka rrëzuar padinë si të pambështetur në prova dhe ligj. Në vendimin e zbardhur të KED, pasqyrohet se Tafaj ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor për të justifikuar burimet e ligjshme të pasurisë së tre personave huadhënës prej të cilëve ka përfituar hua në vlerën rreth 60 mijë euro, nga 20 mijë prej secilit.

Po ashtu, juristi Dedë Kasneci ka paditur më herët KED, por më 20 gusht 2019, Gjykata e Apelit Administrativ ka vendosur rrëzimin e padisë së tij. Në vendim, KED konstaton se nuk ka ushtruar për të paktën 15 vjet veprimtari profesionale nga ato të parashikuara si kusht për lejimin e kandidimit për në Gjykatën Kushtetuese.

Veç tre të rrëzuarve nga KED, 7 kandidatët e tjerë, të cilët kanë kandiduar për vakancën e shpallur nga Meta janë Altin Binaj, Artan Spahiu, Eugen Papandile, Gentian Mete, Sergjio Mazreku, Sonila Bejtja dhe Shaqir Hasanaj. Lista me aplikantët e mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar do të përcillen menjëherë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas ligjit. Tashmë mbetet në dorën e KED të 2020 për të vendosur sesa prej tyre mund të lejohen për kandidim. Realstory.al




Skip to toolbar