Vaksinat ruse e kineze janë vërtet të rrezikshme, apo kjo është shndërruar në një armë gjeopolitike?

CORONAVIRUS


Sipas së përjavshmes shkencore britanike me reputacion ndërkombëtar, The Lancet, efikasiteti i vaksinës ruse është 91.6 përqind, ndërsa i asaj kineze është 70 përqind dhe asnjëra prej tyre nuk është e rrezikshme. 

Spias Mari-Paule Kieny, presidente e komitetit francez të vaksinimit, nuk ka arësye të mendohet se këto vaksina janë të rrezikshme. Ato janë testuar në masë të madhe në popullsi si pjesë e provës klinike dhe janë përdorur për të vaksinuar miliona njerëz dhe deri tani nuk ka shenja të efekteve anësore të rrezikshme. Duhet patur gjithmonë kujdes, sepse është e mundur të kemi efekte anësore të rënda, por kjo mund të konstatohet vetëm pasi të jenë vaksinuar disa milionë njerëz. Por deri tani nuk kemi sinjal që të na bëjë të mendojmë se kemi një problem sigurie me këto vaksina. 

Bertrand Badie, profesor i shkencave politike dhe specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se ka një farë paragjykimi, më shumë kultural, sepse kemi zakonin të punojmë në një ambient perëndimor, europian dhe çka konsiderohet si e jashtme ngjall dyshime. Dimë tashmë se në rastin e vaksinave ruse e kineze, kemi të bëjmë me produkte serioze që meritojnë besim, e megjithatë ka një fenomen paragjykimi. Ka pasur në të gjithë Botën një farë nacionalizimi sanitar dhe ky nacionalizim ka sjellë një qasje diplomatike për sa u përket vaksinave. Pra ideja që t’u hapet porta Kinës dhe Rusisë do të ishte një lloj poshtërimi për vendet europiane dhe për Perëndimin në përgjithësi. 

Kjo nuk është arësyeja e vetme e mos aprovimit të këtyre vaksinave nga EMA. Ka një procedurë mjaft të komplikuar për miratimin e tyre dhe kjo mund të marrë javë, ndoshta dhe muaj. Por asgjë nuk i pengon vendet anëtare të Bashkimit Europian të presin etapën finale të validimit. Disa vende europiane kanë nisur tashmë administrimin e këtyre vaksinave. Hungaria ishte vendi i parë i BE që nisi vaksinimin me Sputnik dhe Sinopharm, duke vaksinuar kryeministrin Orban me vaksinën kineze nën fokusin e kamerave. Gjermania nga ana tjetër tregohet e hapur për vaksinën ruse, por megjithatë do të presë validimin e saj nga EMA. Pra Europa përçahet për sa i përket çështjes së vaksinimit. Nga një anë kemi vende si Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, ndërsa nga ana tjetër vende si Franca, Gjermania dhe Italia. 

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Bertrand Badie, thotë se ka në mënyrë të pakontestueshme një diferencë mes vetë vendeve të BE, mes atyre vendeve që konsiderojnë të papranueshme të merren vendime në nivel nacional dhe se këto vendime duhet të merrën në nivel europian dhe vendeve të tjera që konsiderojnë se interesi nacional prevalon dhe është e papranueshme të varen nga vendimet e përbashkëta të BE-së. Këto thyerje mund t’i gjejmë në çështje të ndryshme, si emigracioni, ku pothuaj të njëjtat shtete kundërshtonin politikat e BE-së. Europa vazhdon të ketë mungesë solidariteti për një sërë çështjesh. Nëse bëjmë bilancin e një viti krizë pandemike, nuk vëmë re konstituimin e një Europe sanitare. 

Europa nga njëra anë dhe Kina e Rusia nga ana tjetër e bëjnë çështjen e vaksinave një çështje gjeopolitike. Moska propozon furnizimin masiv të Europës me vaksina ruse, megjithëse është shumë larg vaksinimit të totalit të popullatës së saj. Ndërsa Kina synon eksportimin e vaksinës, pasi situata pandemike atje duket nën kontroll. Kjo do të ishte një mënyrë për fuqinë e dytë të Botës për të riparuar imazhin, i cili u dëmtua jo pak në fillimin e pandemisë. Le Figaro    



Skip to toolbar