Vdekja e 2 punëtorëve që ranë nga skela, burg për inxhinierin

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës ka lënë në burg një nga arrestuarit për tragjedinë e dy ditëve më parë, ku mbetën të vdekur dy punonjës gjatë çmontimit të një skele. Ndërkohë, për personin tjetër është caktuar “arrest në shtëpi”.

Konkretisht, në burg u la Ilir Bendo, drejtues teknik në skelën ‘Syla’. “Nuk kam qenë prezent kur ka ndodhur ngjarja. Unë asistoj gjatë montimit të skelës, ndërsa në çmontim, nuk kam kontratë të asistoj”, ëhstë shprehur Bendo, ndërsa avokati i tij tha se klienti ka pasur për detyrë instruksionin e punëtorëve dhe ai e ka bërë. “Skela kishte 40 ditë që ishte montuar. Kërkojmë një masë më të butë sigurie atë te detyrimit te paraqitjes, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjyqtari”, u shpreh avokati, por gjyqtarja vendosi të lërë në burg.. Ndërsa për të arrestuarin tjetër, Xhimi Tarushi, administrator i kompanisë “Xhimi”, gjykata vendosi arrest në shtëpi.


Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 gusht, kur të rinjtë që ndodheshin mbi skelat e firmës “Skela Syla”, ranë nga lartësia e katit të gjashtë, pas shembjes së saj nga mungesa e sigurisë.

Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimi, 31 vjeç, humbën jetën, ndërsa të plagosur mbetën punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç, dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës.

Policia e Tiranës arrestoi një ditë pas ngjarjes dy drejtues teknikë, atë të kompanisë që kryente termoizolimin e pallatit ku ndodhi incidenti dhe atë të shoqërisë së skelave, si dhe ka shpallur në kërkim edhe administratorin e firmës “Skela Syla”, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.




Skip to toolbar