Veliaj me përfaqësuesit e transportit publik: S’heqim TVSH, bëjmë rimbursim

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me përfaqësuesit e transportit publik, pas reduktimit të urbanëve në shenjë proteste nga ana e tyre, gjë që ka shkaktuar kaos në lëvizjen e qytetarëve në Tiranë.

Veliaj ka deklaruar se nuk do të ketë heqje të TVSH-së, por rimbursim, teksa premtoi 1 milion euro subvencion për linjat urbane nga buxheti i 2022.


Po kështu u ra dakord për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe pranimin e një pakete të propozuar nga Bashkia e Tiranës për kalimin e situatës së vështirë. Operatorët pranuan kërkesat e bashkisë për rritjen e standardit të shërbimit, vendosjen e GPS dhe formalizimin e shitjes së aboneve.

“Bashkia e Tiranës do të ofrojë për herë të parë një subvencion prej 1 milion eurosh. Cilësinë e rrit vetëm transparenca, përdorimi i GPS, aboneja e formalizuar, dhe jo subvencioni. Por, duke qenë se jemi në kushte të jashtëzakonshme kam marrë një vendim të jashtëzakonshëm. Si fillim, angazhohemi edhe për subvencionin e TVSH-së dhe akcizës, që do e japë bashkia e Tiranës cash për operatorët, por sigurisht që do monitorohet me transparencë, me GPS dhe me mënyrën e formalizimit të shitjes së aboneve, në të kundërt në nuk kemi bërë asgjë”, tha Veliaj.

Për herë të parë do të ketë formatizim dhe formalizim unik të shitjes së aboneve, me qëllim eliminimin shitjes së tyre në tregun e zi. “S’mund të kemi skena si ato që ndodhën vjet, ku arrestohen operatorët me abone e bileta false. Kjo është marrëdhënie besimi, duhet fillimisht të keni besim te njeri-tjetri. Në momentin që ne vazhdojmë shesim nën dorë, është për turp. Me vendosjen e GPS nëpër autobusë duhet të përcaktojmë edhe vendin se ku do shiten abonetë, në mënyrën e duhur e jo në rrugë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se do të vijojë mbështetja për kategorinë e studentëve dhe të kategorive të tjera sociale. “Kur shoh skena që përzihet nga autobusi një veteran lufte, ose një i ri me aftësi të kufizuar, se me demek ne s’paskemi kartelën e duhur apo rimbursimin e duhur, kjo është mungesë njerëzilliku, është fyese. Unë jam gati ta adresoj dhe do ta zgjidh këtë. Por teksa e zgjidhim, nuk justifikohet nxjerrja e një veteran lufte nga autobusi e as nuk justifikohet nxjerrja e një njeriu me paterica. Jemi shqiptarë, qytetarë e pastaj jemi kryetarë bashkie e pronarë autobusësh”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë paralajmëroi operatorët se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet licenca. “Linja e Kopshtit Zoologjik nxjerr nga marmita kancer e kjo s’ka lidhje fare me Covidin, kjo ka të bëjë me mjete të amortizuara, që janë skandal. Ju kam lënë afat deri në datën 30 tetor. Keni dhe 5 ditë kohë; ose ndryshe do humbisni licencën, siç e humbi “Ferluti”. Të mbjellësh pemë te liqeni, të bësh korsi biçikletash, ta bësh liqenin vendin më të vizituar dhe ta rrethosh përveç pyllit orbital me blozë orbitale kjo është e patolerueshme. Ata autobusë prodhojnë kancer, dhe minimalisht për dinjitetin e fëmijëve tanë, ju s’duhet t’i nxirrni më ata autobusë”, theksoi Veliaj.

Operatorët pranuan paketën e ofruar nga Bashkia e Tiranës që synon të ofrojë një shërbim më të mirë të transportit publik urban në kryeqytet.