Vetëvendosja propozon Albin Kurtin për Kryeministër

AKTUALITET


Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë i kërkoi zyrtarisht Presidentit Hashim Thaçi të mandatojë Albin Kurtin për Kryeministër. Lajmin e raportojnë mediat kosovare, të cilat citojnë burime zyrtare nga Vetëvendosja. Sipas KosovaPress, Thaçit i është dërguar kërkesa me shkrim nga Sekretarja e Përgjithshme e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi.

Lajmi konfirmohet vetëm një ditë pasi  Presidenti i Kosovës bëri një apel të fortë për Albin Kurtin, ku i kërkoi të merrte mandatin e Kryeministrit ose të hapte rrugë për dikë tjetër. Ndërkohë, në momentin që Thaçi pranon propozimin dhe e dekreton atë, gjë që pritet të ndodhë brenda ditës së hënë, Albin Kurti duhet të krijojë qeverinë e re brenda një afati prej 15 ditësh sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkohë, negociatat mes Vetevendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë dhënë rezultat. Ndonëse palët publikisht deklarojnë se janë afër formimit të koalicionit, asnjë lëvizje konkrete (të paktën publikisht) nuk ka deri më tani lidhur me ata që do të jenë ministrat e ardhshëm të qeverisë.

Megjithatë, duket se Vetëvendosja po shfrytëzon të gjitha hapësirat që i ofron Kushtetuta për krijimin e koalicionit qeverisës. Kështu është dhe rasti konkret, që pas mandatimit si Kryeministër, Kurti do të ketë dhe 15 ditë kohë për të propozuar emrat e ministrave të qeverisë së tij.



Skip to toolbar