Vjosa Osmani: Kthehem në LDK nëse…

KOSOVA


Ish-kandidatja për kryeministre nga LDK në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, e kushtëzon kthimin e saj në këtë parti me largimin e kryesisë aktuale. Në përgjigje të ftesës së Lutfi Hazirit ajo u shpreh.

“Nuk ka qenë thirrje e drejtpërdrejtë e Lutfi Hazirit me u kthy në LDK. Ma ka ‘sjell’ ngapak, por jo aq drejtpërdrejtë, por unë kam raporte të mira me të. Nuk e kam ftuar në iniciativën time Lutfi Hazirin sepse ai ka qenë i qartë qysh nga fillimi. Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijmë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, tha Osmani.


Për RTV Dukagjinin ajo foli dhe për iniciativën e saj të re dhe njerëzit që pritet t’i bashkohen.

“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur. Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve.”

Sa i takon caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës tha se ende nuk u ka shkuar vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, i cili krijon bazë juridike për të shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pak ditë më parë, Osmani ka takuar udhëheqësit e partive politike dhe ka bërë të ditur se sapo palët ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur si jokushtetues votimin e Qeverisë Hoti.

Shkak për këtë ishte bërë vota e Etem Arifit, i cili përkundër që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë kishte marrë pjesë në votimin e Qeverisë.




Skip to toolbar