“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe dita e hënë është një ditë e zakonshme pune për mua dhe administratën e Bashkisë Shkodër”, kështu është shprehur kryebashkiakja me mandat të përfunduar në Shkodër, Voltana Ademi, në një intervistë dhënë gazetës Panorama.
Megjithëse të hënën konstituohet këshilli i ri bashkiak i Shkodrës, Ademi thotë se kjo mbledhje është e jashtëligjshme pasi thirret jashtë afateve ligjore.
“Mbledhja e thirrur nga prefekti i Shkodrës është qartësisht antiligjore. Ajo është thirrur jashtë afateve që përcakton ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Neni 48 i këtij ligji e përcakton qartë se Këshilli e zhvillon mbledhjen e tij jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent. Mbledhja thirret jo më vonë se 20 ditë nga sekretari i Këshillit dhe në mungesë të tij, nga prefekti, afat i cili ka përfunduar në datën 16 gusht 2019. Siç dihet botërisht, KQZja nuk kishte kuorum për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë. PS-ja e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor, dhe ky i fundit në datën 26 korrik përfundoi të ashtuquajturin proces dhe mori përsipër shpërndarjen e mandateve për të gjithë këshillat në të gjithë bashkitë e vendit. Me një përllogaritje të thjeshtë, nga data 26 korrik deri me 19 gusht, janë më shumë se 20 ditë. Pra, mbledhja e ditës së hënë, datë 19 gusht 2019, është thirrur nga prefekti përtej afateve, në shkelje të ligjit. Duke iu kthyer shpërndarjes së mandateve të këshillave nga Kolegji Zgjedhor, ka një histori tjetër paligjshmërie. Është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor. Në asnjë ligj dhe në asnjë nen, Kolegjit Zgjedhor nuk i jepet e drejta të shpërndajë mandatet për të zgjedhurit për organet e pushtetit vendor. Por nuk po zgjatem, sepse siç e kam paralajmëruar, kjo do të jetë një tjetër çështje që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese”, është shprehur Ademi e cila vijon të mbrojë zyrën, ndryshe nga sa bënë kryebashkiakët e tjerë të djathtë.
Ajo shprehet se do të vijojë të punojë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të cilat thotë se do të bëhen shumë shpejt.