Shkrumbohet nga flakët, në mes të autostradës, autobusi i tifozëve të Partizanit

AKTUALITET


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dieles që fatmirësisht nuk është kthyer në tragjedi për tifozët e skuadrës së Partizanit. Rreth orës 23 të mbrëmjes së të dieles ka marrë flakë dhe është djegur tërësisht autobusi i tifozëve të Partizanit të cilët ktheheshin në Tiranë pas ndeshjes me Kukësin që u zhvillua në stadiumin e Elbasanit.

Në autobus ndodheshin rreth 30 tifozë të cilët shpëtuan pa lëndime. Dyshimet paraprake flasin për një defekt teknik të autobusit që u përfshi nga flakët në mes të autostradës Tiranë-Elbasan.


Si pasojë, autostrada është bllokuar në njërin prej akseve, duke sjellë trafik të rënduar, në orët e vona të mbrëmjes.

Zjarrfikësja ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka vënë në kontroll flakët e zjarrit, por autobusi me targa AA 739 GM është shkrumbuar totalisht.

Kjo ngjarje vjen pak ditë, pasi një tjetër autobus me pasagjer ka marrë flakë në ecje në rrugën e Kombit.




Skip to toolbar