Tetori, Meta lajmëroi dështimin, por Von der Leyen inkurajon Shqipërinë

AKTUALITET


Një ditë më herët Ilir Meta foli me tone sarkastike për dështimin e pritshëm në tetor, dhe mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Por të premten Presidenti i Shqipërisë që duhet të ishte më shumë pozitiv për vendin e tij sesa Komisioni, ka marrë një përgjigje indirekte se çfarë pritet të ndodhë në tetor. Dhe nuk është ajo që pret Meta.

Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit të Europës, Ursula von der Leyen, në një intervistë për gazetën gjermane ‘Spiegel’, ka konfirmuar dhe njëherë mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut. Në deklaratën për gazetën gjermane, Von der Leyen, është shprehur se BE duhet t`i ofrojë dorën këtyre vendeve, që janë pjesë e të njëjtit kontinent dhe kanë të njëjtën histori.


“Ne duhet të hapim negociatat e pranimit me këto dy vende sapo Këshilli Europian të arrijë në përfundimin se kriteret janë përmbushur. Ne duhet të mbajmë dorën ndaj këtyre vendeve, kemi të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, jemi fqinj dhe nëse mbyllim derën për këtë rajon dëmtojmë veten”, tha Ursula von der Leyen.

Më herët, para se të zgjidhej Presidente e KE, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjatë një përgjigje që i kthente deputetëve të Parlamentit Europian. Shqipëria dhe Maqedonia presin dritën jeshile nga BE në tetor për negociatat, pasi Komisioni i Europës dhe Këshilli i Europës u shpreh në qershor se këto dy vende i kanë përmbushur kushtet, për fillimin e negociatave.




Skip to toolbar