Vrasësi në kërkim u plagos nga efektivi, reagon policia: Si ndodhi ngjarja

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka reaguar ne lidhje me ngjarjen ku mbeti i plagosur një Ogres Bilbili, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje, teksa tentonte që t’i shpëtonte efektivit te policisë. Burime zyrtare bënë me dije se në sajë të kontrolleve për zbatimin e masave nga qytetarët, kundër COVID, në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Sipas Policisë, 30-vjeçari Orgest Bilbili, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.


Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë. Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit. Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”. Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes. Ndërkohë, Policia e Shtetit i ka uruar shërim të shpejtë shtetases me inicialet M. P., dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

Pamjet që shihni janë pak pas ngjarjes që ndodhi sot pranë Xhamllikut, tek shkolla ‘Niket Dardani’, ku një person në kërkim për vrasje, i identifikuar më pas si Orges Bilbili, mbeti i plagosur pasi tentoi t’i shpëtonte një punonjësi të policisë.

LSA ka fotografuar momentet pak pas të shtënave me armë, ku shihet ende se personi i plagosur ndodhet i shtrirë përtokë, ndërsa aty shihet dhe një efektiv policisë




Skip to toolbar