Gjykata e Lartë fillon punën në dhomat e këshillimit duke respektuar masat kufizuese

AKTUALITET


Sipas të dhënave që rezultojnë nga sistemi i administrimit të çështjeve gjyqësore, në Gjykatën e Lartë janë paraqitur për shqyrtim mbi 35000 çështje.

Ky numër i jashtëzakonshëm çështjesh ka ardhur në rritje graduale, për shkak se Gjykata e Lartë në 10 vitet e fundit nuk ka arritur të trajtojë dhe të zgjidhë gjatë secilit vit kalendarik një numër më të madh apo të barabartë me çështjet gjyqësore, krahasuar me numrin e atyre që paraqiten për shqyrtim në çdo viti kalendarik.


Gjithashtu, ndikim të ndjeshëm në rritjen e numrit të çështjeve në pritje për t’u shqyrtuar pranë Gjykatës së Lartë ka pasur edhe pakësimi gradual i numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë në detyrë gjatë 3 viteve të fundit, si edhe fakti që nga muaji Maj 2019, kjo gjykatë nuk ka qenë funksionale dhe nuk ka mundur të shqyrtojë dhe gjykojë më çështje gjyqësore.

Pavarësisht faktit se për një periudhë tashmë një vjeçare nuk ka qenë funksionale, Gjykata e Lartë ka qenë tërësisht e angazhuar intensivisht me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion për trajtimin dhe përgatitjen për shqyrtim të një numri sa më të madh çështjesh, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për shqyrtim në momentin kur kjo Gjykatë të bëhej funksionale. Si rrjedhojë e kësaj pune, tashmë janë trajtuar, përgatitur dhe janë të gatshme për shqyrtim mbi 3500 çështje gjyqësore.

Në mesin e muajit Mars, të këtij viti, pas emërimit të tre gjyqtarëve të rinj, janë krijuar kushtet ligjore minimale që Gjykata e Lartë të fillojë të ushtrojë një pjesë të rëndësishme të funksioneve të saj gjyqësore.

Për të mundësuar ushtrimin e funksioneve të saj, menjëherë pas fillimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve të rinj, kjo trupë gjyqtarësh është angazhuar maksimalisht për njohjen e problematikave të shumta dhe komplekse me të cilat përballet Gjykata e Lartë, duke përcaktuar një metodologji të punës, nëpërmjet përdorimit të mjeteve dhe mënyrave më efektive që garantojnë shqyrtimin dhe gjykimin në kohën më të shpejtë, të arsyeshme dhe me cilësi të një numri të madh të çështjeve gjyqësore.

Në përfundim të kësaj pune përgatitore, duke pasur parasysh numrin dhe natyrën e çështjeve që presin për shqyrtim, numrin e gjyqtarëve dhe të këshilltarëve ligjorë në detyrë, referuar edhe parashikimeve të ligjit Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve e zhvilluar në datën 8 Prill 2020 diskutoi dhe përcaktoi kriteret dhe mënyrën se si do të procedohet me përgatitjen ose shqyrtimin e çështjeve.

Përballë numrit të jashtëzakonshëm dhe kohës së gjatë të çështjeve në pritje për t’u shqyrtuar dhe në respektim edhe të kritereve ligjore për gjykimin e tyre, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve vlerësoi se do të vijohet menjëherë me shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit, nisur nga kriteri i kohës së paraqitjes së tyre për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, krahas çështjeve të tjera që për nga natyra e tyre dhe sipas ligjit duhet të shqyrtohen në mënyrë të shpejtë, sikurse janë mosmarrëveshjet për juridiksionin, kompetencën, kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve etj.

Gjithashtu, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, sipas kompetencës së caktuar me ligj diskutoi dhe paraqiti mendimin e saj edhe për formimin e tre kolegjeve dhe të trupave gjykuese të Gjykatës së Lartë.

Sipas procedurës dhe kompetencave të parashikuara në ligjin Nr. 98/2016, në datën 9 Prill, Këshilli i Gjykatës ka vendosur caktimin e gjyqtarëve në përbërje të kolegjeve, si dhe caktimin e gjyqtarëve në përbërje të trupave përkatëse gjykuese, vendime të cilat janë të publikuara në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të kësaj pune përgatitore dhe bazuar në vendimet e marra në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve dhe atë të Këshillit të Gjykatës, trupat gjykuese të kolegjit civil, penal dhe administrativ do të publikojnë në mënyrë të vazhdueshme në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, ditën e gjykimit dhe përbërjen e trupës gjykuese për shqyrtimin e të gjitha llojeve të çështjeve gjyqësore, për t’u njohur nga palët në gjykim dhe kushdo i interesuar.

Ndonëse sipas akteve normative të miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe vendimeve të K.L.GJ. veprimtaria gjyqësore është e pezulluar, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar me numrin e jashtëzakonshëm të çështjeve në pritje për shqyrtim, por duke respektuar rigorozisht kufizimet dhe detyrimet e caktuara nga autoritetet kompetente në funksion të sigurisë së jetës dhe të shëndetit në kushtet e pandemisë Covid-19, Gjykata e Lartë ka marrë masat e nevojshme që të fillojë menjëherë veprimtarinë e saj gjykuese në dhomat e këshillimit.

Njëkohësisht, po vlerësohen mjetet dhe mënyrat për të mundësuar në kohën më të afërt të mundshme edhe të gjykimit të çështjeve në seancë gjyqësore.

Së fundi, me ndjeshmërinë ndaj problemeve dhe nevojave të pazakonta që kanë lindur për të përballuar efektet shumëplanëshe që ka sjellë përhapja e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 në Shqipëri, në frymën e solidaritetit qytetar dhe njerëzor, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë i bashkohen nismës së zbatuar tashmë nga një numër institucionesh dhe funksionarësh publikë, duke dhuruar për këtë qëllimin gjysmën e pagës mujore të muajve Mars, Prill dhe Maj 2020.




Skip to toolbar