Vrasja në Fier, flet nëna e autorit: Jam e shokuar

AKTUALITET


Krimi në familje tronditi sërish vendin mbrëmjen e të premtes kur 31-vjeçari Elton Metaj i mori jetën ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj.

Çifti mësohet se kishte edhe një vajzë të vogël e cila tashmë mbeti jetime pa nënë, dhe me babain në burg.


Nëna e autorit të krimit të rëndë ka folur për mediat këtë të shtunë ku ka treguar se nuk ka vënë re asnjë gjë të dyshimtë tek djali i saj kohët e fundit, që ta bënte të dyshonte se ai mund të kishte një plan të tillë.

Nëna e 31-vjeçarit tashmë të arrestuar, ka treguar edhe telefonatën e parë që i biri ka bërë pas krimit.

Mësohet se vetë djali i saj ka telefonuar të atin e tij dhe ka treguar se ku do të fshihej.

Pasi ka kryer krimin, Elton Metaj ka njoftuar babain duke i thënë që ndodhej në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan dhe e ka paralajmëruar se do të vetëvritej.

Në reagimin e saj për mediat, nëna e autorit i ka shprehur ngushëllimet familjes së ish nuses së saj, ndërsa ka thënë se ndihet e frikësuar për të shkuar në familjen e viktimës se nuk di si do pritet pasi i trembet një hakmarrjeje.

E donte me kohë. Ai fliste në telefon me atë, e donte, nuk e di se çfarë e ka shtyrë që ta vriste, po ta dija nuk do e ndodhte. Nuk e ka takuar në burg. Nuk ka pasur armë në shtëpi, kush ia ka dhënë që të përgjigjet, armët sheshit janë se ku e ka marrë, ku e bleu. S’ka ardhur në shtëpi pas ngjarjes, policia po. Ata duheshin, nuk e prisja të ndodhte kjo, më vjen keq se e rrita vet, se mua më ka ikur dhe im bir bashkë me të. Frikë për një hakmarrje? Po edhe kanë të drejtë. Është e njëjtë dhimbja, si për ata si për mua, se e mora 13 vjeçe”, tha nëna.




Skip to toolbar