Xhaçka: Nëse shtëpia është e dëmtuar, mos bëni ekspertin, largohuni

AKTUALITET


Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i bëri thirrje banorëve që të mos qëndrojnë nëpër shtëpitë e dëmtuara por të strehohen nëpër hotele apo çadrat e ngritura në ndihmë të tyre. Ministrja Xhaçka njoftoi se fuqia goditëse e tërmeteve ka ardhur në rënie dhe shenjat janë se situata sizmike po shkon drejt qetësimit. Ajo bëri një bilanc të punës së bërë nga ministrja dhe u bëri apel njerëzve që të mos kthehen nëpër banesa dhe të mos bëjnë vetë ekspertin duke rrezikuar jetën e familjes.

“Jetët e humbura, 48 prej të cilëve deri tani janë të identifikuar nuk do të kthehen dot më. Kjo ngjarje ka pasur një kosto aq të rëndë në jetë të prera në mes, sa do të jetë e paharrueshme për të gjithë ne sa të kemi jetë.


Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, siç janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin apo Berat, apo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptar e të huaj.

Qytetarët duhet ta dinë, që pavarësisht përmasave të tragjedisë, sot jemi në një situatë ku jemi në gjendje të ofrojmë strehim dhe ushqim, veshmbathje e kujdes e mbështetje, për çdo familje e qytetar të prekur.

Ekipet tona janë të pranishëm në të gjithë zonat e prekura nga Durrësi e Thumana e deri në Laç e Lezhë. Më konkretisht, po asistohen banorët në kampingjet e ngritura në: Thumanë, Fushë Krujë, Bubq, Ishëm, Marikaj, Vorë, Kurbin, Laç, Rrogozhine, Kamëz, Durrës dhe Tiranë. 

Në total, sipas vlerësimeve paraprake në terren janë mbi 4 mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre”, tha Xhaçka.

Ministrja njoftoi se është vënë në funksion kuzhina fushore në Thumanë e po montohet kuzhina fushore në Bubq duke siguruar mbi 10 mijë vakte të ngrohta për 7 ditë të javës.

Ministrja gjithashtu kërkoi durim dhe bashkëpunim ndërsa tha se qeveria është e gjitha në këmbë për identifikuar banesat dhe pallatet e dëmtuara dhe për të garantuar strehimin e banorëve të mbetur pa strehë.




Skip to toolbar