Xhunga: Kodi zgjedhor, ose çarmatimi i kryetarëve

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

Nëse biem dakort që sistemi politik në Shqipëri është i kapur në tërësinë e tij dhe nëse biem dakort që akti më i shëmtuar dhe më me ndikim i kësaj kapje është marrëveshja për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, atëherë ajo që duhet të ndryshohet në reformën zgjedhore që po negociohet aktualisht janë pikërisht këto ndryshime kushtetuese.


Shqiptarët sot nuk kanë realisht një mundësi zgjedhjeje të drejtpërdrejtë. Sistemi i listave të mbyllura bën që kryetarët e forcave politike të diktojnë direkt zgjedhjen e votuesve. Nëse ti je një X qytetar që preferon një X politikan ti sot nuk ke asnjë mundësi që votën tënde ta japësh për këtë politikan. Zgjedhja ose jo e atij politikani nuk varet nga vota jote por nga pozicioni që kryetari i asaj force politike i ka dhënë këtij politikani në listën e mbyllur. Servilizmi ekstrem në partitë politike shqiptare vjen pikërisht nga ky kod zgjedhor. Në demokracitë perëndimore karriera e një politikani është ngushtësisht e lidhur me mbështetjen e votuesit. Ndërsa në Shqipëri ky raport demokratik prishet dhunshëm nga ky kod zgjedhor i cili i heq politikanit varësinë e drejtpërdrejtë nga votuesi duke e shndërruar këtë në një varësi direkte nga kryetari i partisë. Në këtë rast politikani në vend që të përpiqet t’i pëlqejë votuesit, përpiqet sa më shumë që t’i pëlqejë kryetarit. Si rezultat kemi politikanë pa peshë reale politike me një karrierë që mund të marrë fund në çdo moment nga një kapriço e kryetarit dhe një servilizëm të skajshëm në çdo nivel politik.

Administrimi i zgjedhjeve dhe numërimi i votës

Pushteti i pakufishëm i kryetarëve që vjen nga kodi aktual zgjedhor është problemi më i madh, por jo i vetmi. Administrimi politik i zgjedhjeve është fenomen alla-shqiptar dhe duhet ndryshuar. Në demokracitë e konsoliduara vota nuk numërohet nga përfaqësues politikë, por nga një administratë zgjedhore e papolitizuar. Ai që administron dhe numëron votën nuk duhet të ketë interesa direkte politike. Administrimi i zgjedhjeve ka një rol kyç edhe në uzurpimin e sistemit politik. Ky administrim në Shqipëri është ekskluzivitet i tre forcat më të mëdha politike, PS, PD e LSI. Forcave të tjera (në mënyrë arbitrare) nuk iu lejohet përfaqësimi me komisionerë e numërues dhe partitë e vogla nuk mund të mbijetojnë nëse nuk bëhen satelitë të partive të mëdha. Kjo jo vetëm e shëmton sistemin, por e mbyll atë ndaj forcave të reja politike dhe kandidatëve të pavarur. Asnjë forcë e re politike nuk mund të penetrojë në një sistem politik pa pasur garancinë e numërimit korrekt të votës që ajo merr, garanci që nuk mund të vijë nëse kodi zgjedhor iu jep ekskluzivitetin e numërimit të votës vetëm tre forcave kryesore politike.

Kjo bën të pamundur edhe ndëshkimin e korrupsionit me votë. Që qytetari të mund të ndëshkojë me votë korrupsionin ai duhet të ketë mundësinë reale për të votuar forca të pakorruptuara. Nëse për shkak të këtij sistemi të mbyllur ai është i detyruar të votojë për njërën nga këto tre forca politike kryesisht të korruptuara, anti-korrupsioni në Shqipëri mbetet pa përfaqësim të qartë politik dhe qytetari është i limituar në votimin e të keqes më të vogël. Zgjedhja tjetër është edhe më fataliste, të mos votojë fare, e cila na rezulton zgjedhja e shumicës së shqiptarëve.

Për shkaqet që renditëm më sipër në Shqipëri nuk kemi shpresë të shohim fenomene si Emanuel Makron në Francë që fitoi presidencën i vetëm dhe me një forcë politike të sapo formuar dominoi politikën franceze duke nxjerrë nga skena partitë e kalbura tradicionale.

Vota e emigrantëve dhe numërimi elektronik

Këto tre parti që kanë uzurpuar skenën politike shqiptare nuk janë të interesuara për votën e emigrantëve. Nga prononcimet e deritanishme të negociatorëve nuk kemi dëgjuar asgjë për mundësinë e votimit për ata qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve. Janë të mira paratë që vijnë nga remitancat e emigrantëve por refuzojmë votën e tyre.

Merret me mend lehtë pse këto tre parti politike kanë një dakortësi të heshtur për të evituar votën e emigrantëve. Sistemi zgjedhor shqiptar është klientelist (më jep votën të të jap një vend pune ose mos të të heq nga ajo punë që ke) dhe ky klientelizëm për arsye gjeografike nuk mund të arrijë deri tek influencimi i votës së emigrantëve. Klientelizmi është edhe më problematik se blerja e votës pasi me joshjen që sjellin rreth 170 mijë poste në administratën shtetërore ai shtrembëron votën në masë shumë më të madhe se bjerja eventuale e saj.  Duke qenë se ky klientelizëm është motori i vërtetë i votës së partive politike çdo votë që vjen nga jashtë këtij sistemi të kapur i tmerron autokratët që drejtojnë këto parti.

Vota e emigrantëve do të sillte edhe një frymë perëndimore që vjen nga afërsia fizike dhe përvoja e fituar nga jetesa në shoqëritë ku demokracia funksionon.

Fakti që këtë arrin më së miri ta realizojë Kosova bën të kotë çdo diskutim se si do të realizohej kjo nga ana teknike. Nëse Kosova mundet sigurisht që edhe Shqipëria mundet. Duhet vetëm vullneti i duhur.

Numërimi i votës në mënyrë manuale është përveçse mesjetar edhe një mënyrë më shumë për të mundësuar vjedhjen e saj. Në një krahasim me Kosovën (jo me Suedinë) ku numërimi elektronik mundëson shpalljen e rezultatit vetëm pak orë pas votimit shmang sorollatje të kota dhe qëllime manipulative.

Ndaj numërimi elektronik duhet të jetë një nga pikat e rëndësishme të ndryshimeve që priten nga kjo reformë zgjedhore.

Avantazhet e listave të hapura

Listat e hapura janë i vetmi opsion që pasqyron në mënyrë të qartë e pa asnjë dilemë vulletin e votuesve. Përveç sistemit maxhoritar, që ka avantazhin e përballjes direkte të kandidatëve, por që bëhet problematik për shkak të tendencës bipolare të politikës shqiptare (ka shumë parti, por ka edhe një tendencë të fortë për të bashkuar forcat në zgjedhje duke e bipolarizuar skenën), sistemi me lista të hapura forcon edhe personalitetin e dobësuar të deputetëve si pasojë e ndryshimeve të vitit 2008 dhe ul ndjeshëm varësinë e tyre nga kryetarët e partive.

Shembulli më i qartë i forcës së një politikani dhe mospëruljes së tij ndaj vullnetit të kryetarit është kyreparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani. Krerët e partisë së saj po flirtojnë me klanin e të korruptuarve të Kosovës, por Vjosa Osmani me forcën që vjen nga rreth 170 mijë vota kundërshtoi hapur këto pazare që synojnë të devijojnë votën e 6 tetorit 2019  dhe është sot flamur i simpatizantëve të partisë së saj që nuk janë dakort me keqpërdorimin e votës së tyre.  Nëse Vjosa Osmani do të kishte qenë pjesë e një liste të mbyllur, në Shqipëri nuk do t’i dinin asaj as emrin dhe ajo sot do të ishte ish politikane.

Listat e hapura do të na japin mundësinë të shohim peshën reale politike të politikanëve shqiptarë dhe do t’u hiqte çdo legjitimitet  e do të diskreditonte kryetarët uzurpues.  Nuk do të kishte asnjë kuptim nëse kryetar i një partie nuk do të ishte personi më i votuar i kësaj partie në zgjedhje.

Opozita parlamentare, shpresa e vetme për një reformë cilësore  

Shqipërisë nuk i ka ardhur asnjë e keqe nga deputetët zëvendësues në lista, përkundrazi. Përveç humorit nga fjalimet mediokre të Kujtim Gjuzit, nga shqipja e varfër e Rudina Hajdarit apo nga deputetja që fliste për ‘’karparatat’’, duhet thënë se futja në Kuvend e zëvendësuesve ishte një fitore ndaj atyre që donin  zjarr për t’u mbrojtur nga drejtësia e re.

Megjithë një mungesë morali (por jo legjitimiteti) që vjen nga të qënit më poshtë në listë se ata që dolën nga Parlamenti, hyrja e tyre në Parlament ka shumë anë pozitive. Më kryesorja ishte ruajtja e rendit kushtetues.  Parlamenti arriti të ruajë kuorumin për të qenë në gjendje të miratojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kjo bëri të mundur mosbllokimin e reformës në drejtësi. Duke pasur një varësi nga Ambasada Amerikane, e cila influencoi dhe mbështeti vendimin e tyre për t’u futur në Parlament, kjo opozitë ka pasur më së shumti rol konstruktiv. Thuhet se po i shërben pushtetit, por si çdo sulm i sponsorizuar nuk thuhet në ç’formë po i shërben. Nuk ka deri tani asnjë ndryshim ligjor me shumicë të cilësuar që i shërben qeverisë socialiste, përfshirë ndryshimet në kodin penal. Bashkimi i votave të tyre vetëm me maxhorancën ka qenë vetëm në funksion të reformave dhe në interes të Shqipërisë.

E vetmja shpresë që të ketë ndryshime thelbësore në reformën zgjedhore është pikërisht kjo opozitë parlamentare e cila ka kushtëzuar votën e saj me këto ndryshime. Frika për një marrëveshje të heshtur midis të mëdhenjve për t’u hedhur hi syve shqiptarëve e ndërkombëtarëve me lëmim të kodit zgjedhor pa prekur thelbin gjen përballë vetëm opozitën parlamentare. Këta janë të vetmit që sot me anë të votës së tyre kanë në dorë të bëjnë që një pazar mes pushtetit dhe opozitës reale në kurriz të shqiptarëve të dështojë.

SHBA dhe BE kanë rritur presionin së fundmi ndaj ndryshimeve të nevojshme të kodit zgjedhor. Garancia që këto të jenë vërtet ndryshime dhe jo lëmime estetike është vetëm opozita parlamentare. Kur do votohej reforma në drejtësi krerët e opozitës pasi e panë se presioni i fortë amerikan iu nxori nga gardhi politik një numër deputetësh që do të bënte të mundur votimin e reformës pa miratimin e tyre, u nisën drejt Parlamentit dhe votuan reformën me 140 vota. Ndaj të mos çuditemi nëse historia përsëritet. Këtë herë amerikanëve nuk iu duhet të bëjnë presion. Ata kontrollojnë pakicën kyçe për ndryshimin e kodit zgjedhor. Të kushtëzuar nga këto vota të mëdhenjtë do të bëjnë sikur një dakortësi u arrit në momentin e fundit dhe do të shkojnë pa dëshirë të votojnë ndryshimet e duhura.  Realstory.al




Skip to toolbar