Ylli Ndroqi është më pak fajtor se secili prej shokëve të tij politikanë, në këtë histori

OPINION


Nga Mero Baze


Në vitin 2013 mbaj mend një skenë të jashtëzakonëshme nga ekrani i Ora News, në një transmetim direkt. Ylli Ndroqi po udhëtonte drejt Italisë për të çuar një bust të Skënderbeut në një provincë italiane, me kërkesë të disa emigrantëve.

Gazetari i Ora News transmetonte direkt skenën e zbritjes së tij në tokën italiane, përshkruante hapat e parë në rrugën jashtë aeroportit, dhe theksonte se ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili ngelej në plan të dytë.

Ndërkohë që gazetari transmetonte gjithë patetizëm skenën triumfale të mbërritjes së Ylli Ndroqit në Itali, u shfaqën titrat ku thuhej se gjashtë të burgosur nga burgu i Drenovës ishin arratisur.

Për një kanal lajmesh ishte diçka e rëndësishme. Gazetari u hutua pak. Lexoi titrat, theksoi se ,…gjashtë vetë janë

a-rra-ti-s ur… nga burguuu…Drenov-ës…

Vazhdojmë me ngjarjen kryesore të ditës: “Presidenti i Ora News Ylli Ndroqi ka mbritur në Itali i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta”…!

Gjithë skena dhe pathosi i transmetimit nga gazetari sugjeronin se mund të kishte dhe ngjarje, ndërkohë që ai zbriste i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit.

Por nuk pati.

Ishte hera e parë që mbërrinte në Itali, pasi kishte mbyllur e duke djegur afatet e hetimit, një hetim për trafik droge. Dhe ishte gjithçka e natyrshme, përveç shoqërimit nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta.

Dy ditë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, u desh të theksonte një deklaratë të pak orëve më parë në emër të ambasadës së SHBA, duke theksuar se e gjithë zhurma kundër aksioneve të bujshme të drejtësisë “ka të bëjë me ndëshkimin e kriminelëve të njohur, -asgjë më shumë, asgjë më pak”.

Dy mesazhet e forta zyrtare të SHBA pasuan dy reagimet politike në Tiranë, atë të Sali Berishës dhe atë të Presidentit Ilir Meta, të cilët konsideronin si dhunë ndaj lirisë së shtypit, masat e sekuestros ndaj Ylli Ndroqit, pronarë i 26 bizneseve, mes të cilave dhe dy kanale televizive.

Reagimi i ambasadores së SHBA ndaj përpjekjes për të devijuar fokusin e SPAK në këtë histori, nga dy fgura me peshë politike në Shqipëri, Berisha e Meta, është një rast i mirë për të parë realisht, precedentin “Ndroqi” në raport me politikën shqiptare.

Ylli Ndroqi ndoshta nuk do të ishte hetuar kurrë në këtë vend, sikur të mos bënte atë hap që bëri më 2007, duke blerë një kanal televiziv, të përfituar në rrugë klienteliste nga Aleksandër Frangaj. Duke pasur në krye të KRTV së asaj kohe Mesila Dodën si një ushtare të tij, Frangaj arriti të marrë një licensë televizoni jashtë çdo kriteri, të cilin më pas ja shiti Ylli Ndroqit.

Ky i fundit sapo kishte filluar një betejë të re me drejtësinë italiane, për trafik droge, ndërkohë që kishte lënë pas krahëve historinë e dënimit dhe burgosjes në Turqi, po për trafik droge.

Shpresa e tij ishte se duke hyrë në media mund të mbrohej.

Dhe këtë iluzion ja kanë ushqyer të gjithë. Ata që e futën në valle dhe ata që e mbajtën duke e përdorur.

Ylli Ndroqi është më pak fajtor se secili prej tyre në këtë histori. Ai vetëm ka paguar dhe vetëm ka dashur të mbrohet. Nuk ka qenë kurrë agresiv me askënd.

Mbaj mend se në vitin 2009 kur gazeta “TemA” ishte nën goditjen e përditëshme të Berishës, financiare fizike dhe gjyqësore, Ndroqi që ishte me Berishën përpiqej të ishte korrekt dhe me lajmet për gazetën, edhe pse shpesh më tregonte se si Liri Berisha i kërkonte mos ta lexonte gazetën “TemA” në ekran çdo mëngjes.

Natyrisht unë nuk isha në luftë me Berishën se kisha qenë i dënuar për drogë apo për tendera, por për qëndrimet kritike ndaj tij. Por dukej se Ndroqi nuk donte të futej në luftë me askënd, që guxonte të bënte luftë me Berishën, por preferonte të mbrohej nga të gjithë.

Dhe kështu pak nga pak, nga një njeri që mund ta përballonte në heshtje fatin e tij dhe të shkuarën problematike, ai u bë peng i politikës dhe përdorimit prej saj.

Në vitin 2011 ai arriti të shpëtojë përmes Gjin Gjonit një trafikant turk të kërkuar në Gjermani, për gjysëm ton drogë, duke e “dënuar” me arrest shtëpie, “tek një apartament tek Kthesa e Kamzës”. Disa orë pas lirimit turku nuk gjendej askund, ndërsa Gjin Gjoni dënonte gazetën “TemA” po atë kohë, që pushteti t’ia toleronte lirimin e këtij trafikantit turk.

Pak nga pak ai u mësua me idenë e pushtetit, me përfshirje të njerëzve të tij në vende pune të rëndësishme, në çdo zyrë të shtetit, me përfaqësim në tendera në emër të kompanive të tjera, dhe me presion të kujdesshëm ndaj pushtetit, deri sa ti hapej rruga.

Në vitin 2015 sipas deklaratës së SPAK ai është ndaluar dhe shoqëruar për dosjen në Itali, por askush se ka bërë publike.

Më 2017 në “çadër” Lulzim Basha deklaroi se Ora News është media e vetme e ndershme në Shqipëri, gjithë të tjerat i ka kapur mafia. I njëjti njeri kur ka qenë ministër i Brendshëm ka bllokuar urdhërat në Interpol që kërkonin Ndroqin si person të kërkuar në Itali.

Atë e ndihmuan të gjithë njerëzit e pushtetit të bëhej i përdorshëm. E përdori administrata e Berishës, e përdori Ilir Meta por dhe administrata e Edi Ramës. Madje dhe vetë Partia Socialiste. Disa ministra socialistë kanë qenë thjeshtë shërbëtorë të tij.

Pastaj erdhën shfaqjet e tij publike, enturazhi i rojeve dhe makinave të blinduara, imponimi si faktor ndaj pushteteve me gazetarë defiçentë dhe të papërgjegjshëm që kanë prekur fundin e dinjitetit të një ekrani televiziv, duke kthyer fantazinë e të sëmurëve psiqikë, në “fakte”.

Dhe ndoshta Ylli Ndroqi nuk do te hetohej kurrë, sikur ambasada e SHBA në Tiranë të mos kish dhënë sinjalin e parë, dy vite më parë, duke detyruar Ministrinë e Jashtme shqiptare dhe atë të Meksikës ti heqin titullin e Konsullit të Nderit të Meksikës, të cilin falë këmbënguljes së tij dhe Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, e rimori gruaja e tij si Konsulle Nderi për Kosovën në Vlorë. Thjesht i duhej një “imunitet” diplomatik në rrugë.

Prej atëherë rrodhën shumë ujëra dhe sot ai është i ekspozuar ndaj një hetimi, i cili në fakt është një radiografi e kalbëzimit të sistemit tonë politik dhe mediatik më shumë se sa problem i Ylli Ndroqit.

Ndroqi është thjeshtë një mekanizëm i përdorur nga pushteti për interesa të veta. Fati i tij është si fati i shumë emrave të botës problematike të krimit që janë shkatërruar vetëm kur kanë guxuar të hyjnë në politikë e të bëjnë pazare me të.

Thjeshtë kanë kaluar “vijën e kuqe” duke mos ditur deri ku e ka kufirin qetësia personale pas një të shkuare të tillë.

Ndaj politika jonë duhet të ulë kokën kur flet për Ylli Ndroqin. Duhet të ulë kokën, se ai është prodhim i tyre, pjesë e tyre, pjesë e historisë së tyre, dhe mentalitetit të tyre për shtypin. Dhe boll folët për lirinë e shtypit, kur nuk ju duhet ajo, por ju duhet Ylli Ndroqi. Dhe ai ju duhet për viktimë në rrugën drejt pushtetit.