Zaloshnja: Rrotacioni vjen me rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje

Më të fundit


Nga Eduard Zaloshnja

Rrotacioni i fundit i pushtetit në Shqipëri, ai i 2013-ës, mund të shërbejë si leksioni më i mirë për opozitën e sotme, e cila synon të realizojë një rrotacion të ri. Statistikisht, ai rrotacion vërtetoi korrelacionin që vihet re zakonisht në botë mes rrotacioneve të pushtetit me zgjedhje dhe rritjes së pjesëmarrjes në to.


Plot 200 mijë zgjedhës më tepër se sa në zgjedhjet paraardhëse morën pjesë në zgjedhjet e 2013-ës në Shqipëri. Rreth 85% e banorëve në moshë të rritur hodhën votën e tyre në ato zgjedhje – një rekord që nuk ishte shënuar qysh prej vitit të largët 1992.

Dhe kush përfitoi nga ajo rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes? Partitë e koalicionit që i fitoi ato zgjedhje – PS, LSI, PSD, etj. – të cilat morën 205 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet paraardhëse (shihni grafikun shoqërues).

Ishte pikërisht një dallgë e tillë elektorale që shfaktorizoi avantazhe paraprake të partive që ishin atëherë në pushtet, si zotërimi i KQZ-së, policisë, gardës, gjykatave, administratës etj. Edhe pse shumë kuti votimi u hapën pas zgjedhjeve e u rinumëruan (gjë që nuk kishte ndodhur në zgjedhjet paraardhëse), rezultati nuk ndryshoi dot – koalicioni opozitar fitoi 84 mandate.

Nuk është bërë ndonjëherë një analizë e thellë e fatorëve që sollën atë rritje të numrit të pjesmarrësve në zgjedhje, në sintoni me rritjen e votave për partitë fitimtare, por mund të thuhet se një ndërrthurje e pakënaqësisë ndaj tetë viteve të qeverisjes me shpresën se partitë opozitare do të sillnin një përmirsim të ndjeshëm të gjendjes ekonomike ishte në themel të asaj dallge.

Në zgjedhjet e 3013-ës, vetëm 15% e banorëve të rritur (rreth 400 mijë) nuk morën pjesë në votim. Por ndryshe ndodhi katër vjet më vonë , më 2017, kur plot 25% e banorëve të rritur (rreth 550 mijë) nuk morën pjesë në votim. Dhe rrotacion nuk patëm në 2017-ën…

Nga një sondazh që zhvillova para një muaji, rezultonte se rreth 35% (me ekstrapolim, rreth 750 mijë banorë të rritur) nuk ishin gati të votonin për asnjërën nga partitë ekzistuese në muajin prill (nëse do të kishim patur zgjedhje të parakohëshme). E pra, ky është rezervuari i votave, ku partitë opozitare  mun të gjejnë karburantin për të ardhur në pushtet. Sikur të thihthin vetëm gjysmën e tyre, nuk ka çfarë t’u bëjë asnjë qeveri, polici, gardë, gjykatë apo administratë. Kuptohet, në qoftë se do të dijnë se si t’i thithin ato vota.




Skip to toolbar