Zbardhet axhenda, vendoset se ku do të luhet derbi Partizani-Tirana

AKTUALITET


Dilema merr fund. Derbi Partizani-Tirana do të luhet në “Air Albania Stadium”. Lajmin e dha klubi i Partizanit, që publikoi axhendën e ndeshjes më të rëndësishme të Superligës për javën që vjen.

Takimi është vendosur të luhet të premten më 13 dhjetor në orën 19:00 në stadiumin e ri kombëtar të futbollit. Duket se Partizani dhe FSHF kanë arritur marrëveshjen vetëm të martën, tre ditë përpara derbit.


 Më herët, palët kishin pasur bisedime rreth arritjes së marrëveshjes për të lejuar zhvillimin e derbit në “Air Albania Stadium”, por ajo që mbante peng zyrtarizimin ishte shuma e qirasë që do të paguante Partizani për të luajtur në këtë stadium.

Ndonëse nuk është bërë zyrtare asnjë shifër, rreth kostove që do të paguajë klubi pritës, Partizani, pritet që shuma të jetë e konsiderueshme.

Më herët, zyrtarë të FSHF janë shprehur se për të luajtur një ndeshje në “Air Albania Stadium”, nevojiten të paktën 10 mijë euro shpenzime për mirëmbajtjen e stadiumit.

Kjo do të thotë, se Partizanit do t`i duhet të paguajë një shumë të konsiderushme në arkat e FSHF për zhvillimin e ndeshjes derbi të premten. Megjithatë, pritet që për shkak të interesit të madh, klubi i kuq të arkëtojë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e biletave për tifozët.




Skip to toolbar