Zgjedhjet e mesmandatit/ Demokratët arrijnë të mbajnë Senatin

BOTA


Ndërkohë që ka kaluar një javë nga zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, zgjedhje të cilat mbahen për të zgjedhur përfaqësuesit në Kongres, duket se republikanët kanë siguruar 218 vendet e nevojshme për një shumicë në Dhomën e Ulët të Kongresit.

Rezultati është festuar nga udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, megjithatë, demokratët do të ruajnë kontrollin e Senatit. Kongresi i ri do të mblidhet në janar.


Partia Republikane tani parashikohet të fitojë 218 deri në 223 vende në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 vendesh. Megjithatë rezultati i plotë pritet të zgjasë edhe disa javë, pasi procesi i numërimit është ende duke vijuar.

McCarthy, i cili u zgjodh nga republikanët të martën si kandidati i tyre për të zëvendësuar demokraten Nancy Pelosi si kryetaren e ardhshme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se dhoma ishte “ndryshuar zyrtarisht”.

“Amerikanët janë gati për një drejtim të ri dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë gati të japin rezultat”, tha ai.

Për t’u zgjedhur Kryetar, udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të fitojë mbështetjen e shumicës nga 435 anëtarët e Dhomës së plotë.

Por zonja Pelosi sinjalizoi se nuk do të hiqte dorë në heshtje.

Zonja Pelosi, gruaja e parë që mbajti këtë post, nuk tha asgjë në deklaratën e saj për shtyp nëse planifikonte të qëndronte si udhëheqëse e pakicës, mes spekulimeve në Uashington për të ardhmen e saj.




Skip to toolbar