Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të nis javën e ardhshme konsultimet dhe negociatat me partitë politike për vendosjen e datës për zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse ende nuk është asgjë zyrtare, mediat kosovare thonë se 8 shatori është një datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Thaçi tha se do të bëjë gjithçka ka në dorë për të ruajtur dhe respektuar parimin Kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e rendit juridik.
“Çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore. Duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në njoftimin për mediat të presidentit Thaçi
Pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj më 19 korrik nga posti i kryeministrit i kërkoi Presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Haradinaj dha dorëheqjen pas ftesës së marr nga Prokuroria Speciale në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.