Kritikët i kërkojnë Bashës lista të hapura: Zgjidhin krizën në PD

AKTUALITET


Në një kohë që Reforma Zgjedhore është në krye të axhendës të debatit politik në vend, kritikët e Lulzim Bashës vijnë me një propozim konkret. Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar në PD, kërkon nga Basha që të propozojë një sistem zgjedhor me “lista të hapura”. “Demokracia është përfaqësim! Një sistem zgjedhore me “lista të hapura” e zgjidh problemin themelor të krizës së sistemit politik aktual. Z.Oketa dhe znj.Duma kanë me  këtë propozim, një mundësi konkrete për t`ja propozuar Bashës zgjidhjen për bashkimin e Partisë Demokratike”, shkruan Kulluri.

Ai argumenton të mirat që sjell ky sistem, dhe përfitimin konkret të PD-së. Sipas Kullurit, Basha, ka mundësi të nxjerrë të djathtën nga kriza me synim fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. “Thirrjeve të hapura të disa bashkëpunëtorëve të vet për bashkimin e PD, zoti Basha ka mundësi tu përgjigjet pozitivisht për ta nxjerrë të djathtën nga kriza me synim fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Të kërkojë një reformë zgjedhore për miratimin e një sistemi proporcional kombëtar ose rajonal me “lista të hapura”.


Sipas Kulluri, me që Basha nuk pranon një proces demokratizues në PD, atëherë, sipas tij, kryedemokrati mund të bëjë demokratizimin e parlamentit. “Meqënëse nuk pranon të nisë një proces demokratizues të Partisë Demokratike, atëherë mund të bëjë demokratizim të parlamentit, qeverisjes dhe vetë partisë përmes sistemit zgjedhor. Ti propozojë Këshillit Kombëtar një listë me 140 kandidatë ku të përfshijë kritikët e tij për gjendjen në parti dhe secili të mbledhë vota për PD dhe veten”.

“Edhe PD mbledh maksimumin e votave, edhe përfaqësimi në parti dhe parlament rregullohet njëherë e mirë. Diskutimi që vendos kryetari për çdo gjë, merr fund. Vendosin demokratët dhe qytetarët kush i përfaqëson më mirë! Natyrisht dhe programi elektoral bëhet më i plotë për shkak se përfshihen më shumë ide për një qeverisje më të mirë”, shkruan Kulluri.




Skip to toolbar