Zhgënjim në Europë, Kukësi largon Ernest Gjokën

SPORT


Pas dështimit në turin e parë të Europa League, Kukësi ka vendosur të shkarkojë trajnerin Ernest Gjoka. Me një deklaratë publike, skuadra verilindore shkruan se “trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të skuadrës së Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Europa League. Klubi ynë trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës së skuadrës nënkampione të Shqipërisë”.

“Kukësi falenderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të ketë fitimin e titullit Kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës”, shkruhet në komunikatën e ekipit Verilindor.

Megjithatë, pas publikimit të këtij lajmi, mësohet se trajneri që pritet të marrë drejtimin, është emri i Ilir Dajës. Mësohet, se ish-trajneri i disa ekipeve në Superligë, sezonin e fundit me Flamurtarin, ka pasur një takim me presidentin e Kukësit Safet Gjici, por klubi ende nuk ka konfirmuar asgjë. Kukësi u eliminua nga Debrecen, pasi humbi në ndeshjen e parë dhe barazoi në kthim, në turin e parë të Europa League.



Skip to toolbar