Albi Xhunga: Zotin Luli Basha e duan të gjithë

OPINION


Personazhi më i dashur e më i pranueshëm për të gjithë në skenën politike shqiptare është padyshim Lulëzim Basha. Politikan i formuar në perëndim, i edukuar deri në mërzitje, (cilësi e rrallë kjo për një lider shqiptar), format klasik në veshje e në sjellje dhe gjithmonë i buzëqeshur.

I preferuari i Sali Berishës


I pari që e do kryetarin e opozitës është Sali Berisha dhe për këtë ka dhënë prova. Megjithëse ishte rishtar në Partinë Demokratike të rikthyer në pushtet në vitin 2005 dhe përballë Arben Ahmetajt do të fitonte vetëm falë çarjes së votës së majtë, ai i ngjiti shkallët e karrierës politike më shpejt ç’mund të ëndërrohej për një politikan të ri në moshë e në karrierë. Ministër i transporteve, ministër i jashtëm, ministër i brendshëm, kryetar i bashkisë së Tiranës dhe kryetar opozite, detyrë që e mban edhe sot. Në secilën prej detyrave të rëndësishme që ka pasur z. Basha ka mbartur akuza po aq të rëndësishme. Pas një procesi gjyqësor të hapur ndaj tij si ministër transportesh për abuzim prej mbi 200 milionë eurosh ai ‘’fluturoi’’ në krye të diplomacisë pikërisht në vigjilje të antarësimit në NATO dhe lliberalizimit të vizave. Berishës iu desh të sakrifikonte një mik të kohërave të vjetra për t’i shtruar rrugën benjaminit të tij. U largua nga ministria e jashtme për t’u bërë ministër i brendshëm, por mori me vete akuzën e rëndë (jo zyrtare) të shitjes së interesit kombëtar në marrëveshjen e detit që firmosi me homologen Dora Bakojanis (motrën e kryeministrit aktual grek), akuzë që u certifikua (jo si e tillë) nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Si ministër i brendshëm ka edhe akuzën më të rëndë që asnjë prokurori nuk e ngriti kurrë, atë të vrasjes së 4 protestuesve përpara selisë së kryeministrisë.

Pastaj erdhi zgjedhja si kryetar i Bashkisë së Tiranës me tjetërsim rezultati në tavolinë. Me këtë karrierë brilante të zotit Basha as për meritë e as për faj të tij, lideri fuqiplotë i të djathtës shqiptare e përzgjodhi kryetar të PD. Thuhet se procesi u manipulua, por kjo ka pak rëndësi në një parti ku hija e Berishës është më e rëndë se e gjithë kryesia bashkë me antarësinë.

Sali Berisha dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në parti pas humbjes së vitit 2013. Për shumëkënd kjo dorëheqje ishte thjesht një taktikë, pasi me përzgjedhjen e pasardhësit ai do të vazhdonte të kishte kontrollin e plotë të PD-së. Ky kontroll do t’i garantonte atij shmangjen e një qasje revizioniste të lidershipit të ri, ose më saktë atë që quhet atvrasje politike, aq të nevojshme për një difusion gjaku të një force politike të konsumuar nga pushteti tetëvjeçar. Jo rastësisht Sali Berisha është sot në PD jo një person, por një religjon.

Lënia në harresë, apo tolerimi i mëkateve të tij nga mbështetësit fanatikë të shumtë në numër mund të ketë disa shpjegime. Njëri prej tyre është stereotipi i votuesit shqiptar. Marrim për shembull diferencën në qasje ndaj liderit të votuesit amerikan dhe atij francez. Nëse Bill Klinton rrezikoi presidencën për një histori dashurie, pasi për amerikanët mungesa e moralit të presidentit edhe në jetën e tij private është e papranueshme, në Francë imoraliteti i presidentëve nuk skandalizon askënd. Presidentët francezë kanë pasur aq shumë historira me të dashura e me tradhëtira bashkëshortore sa shpesh mbiquhen demat e Elizesë. Kur sheh në retrospektivë rezultatin e lidershipit Basha në PD nuk mund t’i mohosh gjeninë politike Sali Berishës. Me këtë lëvizje Berisha kontrollon partinë pa kosto. Të gjitha akuzat që vijnë nga brenda e nga jashtë përplasen tek rrufepritësja Basha. Edhe të larguarit nga PD që sot po përpiqen të rihyjnë në tregun politik akuzat e tyre i drejtojnë ndaj liderit formal. Nëse kjo është një taktikë për ta mbajtur hapur derën e PD kur Basha të rrëzohet, apo këtu kemi të bëjmë me fenomenin mesjetar të ‘’therrjes së maces’’ që këta ish eksponentë të lartë të PD-së nuk shmangin dot kur mendojnë liderin historik, kjo pa pak rëndësi. Rezultati është i qartë. Asnjë prej të pakënaqurve nuk akuzon Berishën. Përse t’i hyjnë një përplasjeje të rrezikshme me doktorin kur Basha është aty si shënjestër e lehtë ?

I preferuari i Edi Ramës

Nëse një kryeministër do të kishte mundësinë të zgjidhte kundërshtarin e tij nuk do të mund të ëndërronte variant më të mirë se Lulëzim Basha. Nëse Partia Demokratike do të dilte me një figurë të re në krye të saj do të ishte e vështirë për kryeministrin të përballej me një kundërshtar pa histori në pushtet e pa kosto politike. Në kontekstin shqiptar ku korrupsioni është kryefjalë të kesh përballë personin e dytë më të akuzuar në PD pas Berishës është më shumë se luks.

Nëse siç thamë më sipër, për një pjesë të stereotipit të votuesit të djathtë shqiptar nuk përbëjnë problem akuzat ndaj liderit, por mjafton që ky të jetë i fortë dhe të dijë t’i imponohet kundërshtarit, Lulëzim Basha nuk e ka as këtë cilësi. Ngjirja e shpeshtë e zërit nuk është problemi i vetëm. Kur Lulëzim Basha kërcënon, postura e tij e butë stonon me tekstin e kërcënimit dhe kjo as nuk entuziazmon mbështetësit e as tremb kundërshtarin. Një lider që shpreh dobësi nuk tolerohet nga stereotipi i votuesit të djathtë shqiptar.  Ky mund të jetë një nga faktorët që ka ndikuar në mungesën e mbi 200 mijë votave të PD-së në kutitë e votimit më 2017.

Nuk gjen dot një lider politik në Shqipëri që të ketë humbur më shumë kauza. Praktikisht përveç dekriminalizimit Lulëzim Basha ka humbur çdo kauzë tjetër. Heqja dorë nga mandatet e nga zgjedhjet lokale dhe përpjekja për rrëzimin e Ramës me protesta nuk prodhoi asgjë përveç kostove për opozitën. Ulja në një tryezë për Kodin Zgjedhor me personin më të akuzuar prej saj për manipulim zgjedhjesh, Damian Gjiknurin, rrënoi në nivele të frikshme dinjitetin e lidershipit opozitar. Lulëzim Basha nuk prodhon kauza opozitare. Ai rend pas çdo kauze me të gjallë e me të vdekur që ia sjell rrjedha e kohës.

Për të gjitha këto arësye duhet besuar se i Edi Rama është i sinqertë kur thotë: ‘’Luli është çun i mirë’’.

Ideal për Ilir Metën

Shkëlqesia e tij, presidenti Ilir Meta e ka provuar përgjatë karrierës së tij politike se e ka syrin më të madh se stomakun. Sa më shumë pushtet fitonte aq më shumë kërkonte. Tani në rolin e presidentit opozitar nuk do të gjente më mirë se Lulëzim Basha për të luajtur lojën e violinës së parë opozitare. Megjithëse ‘’Luli të gënjen edhe kur e pyet për orën’’ ai nuk duket se shqetësohet nga protagonizmi i presidentit. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë nëse në krye të PD do të ishte Sali Berisha.

Posti i presidentit e detyroi Ilir Metën t’ia linte partinë zonjës së parë, por shkëlqesia e tij as nuk mund të rrijë jashtë betejës politike e as nuk mund të humbë rastin për të plotësuar atë që i mungon opozitës sot, liderin e fortë. Nuk ka as ligj e as moral që e pengon Ilir Metën të bëjë një opozitë të fortë, megjithëse posti i presidentit do të duhej të ishte një pengesë serioze. Për Ilir Metën qëllimi e justifikon mjetin. Kjo do të thotë se kushtetuta mund të bëhet edhe paçavure kur vjen puna për t’u dalë përballë socialistëve. Pra nëse Lulëzim Basha tërhiqet nga çdo sfidë me bisht ndër shalë, presidenti nuk njeh asnjë limit për të bërë opozitë të egër dhe për t’u treguar të gjithëve se ai është lideri që i duhet opozitës. Formati soft i Lulëzim Bashës ia lejon këtë.

I pranuar nga ndërkombëtarët

Yuri Kim është e para ambasadore amerikane që nuk takon Sali Berishën. Është vështirë të besohet se ajo nuk e di peshën që lideri historik ka në PD. Është gjithashtu e vështirë të besohet se ajo e bën këtë vetëm për të qenë politikisht korrekte dhe zgjedh për interlokutor kryetarin formal të partisë. Nëse do të hedhim një vështrim retrospektiv në marrëdhënien e Sali Berishës me ambasadorët amerikanë do të kuptojmë përse për ta do të ishte më komode të komunikojnë me Lulëzim Bashën. Lideri historik i PD-së është një kockë e fortë politike dhe nuk e ka për gjë të kundërshtojë çdo autoritet të huaj kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tij. Dhe në kontekstin aktual, kur mozaiku i reformës në drejtësi po plotësohet, pasiguria e bën atë një faktor politik të paparashikueshëm. Sa herë që Sali Berisha ka pasur presione nga ndërkombëtarët aq herë ai ka luajtur me kartën e stabilitetit të Shqipërisë. Duke njohur butësinë e Lulëzim Bashës, shumëkush shikon dorën e tij në lënien e mandateve, në bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe në luftën me molotovë ndaj kryeministrisë e kuvendit. Ndërsa me Lulëzim Bashën ndryshon puna. Kur ndërkombëtarëve iu duhet të rrisin shkallën e presionit ai bëhet kryeopozitar shembullor që shkon në protestë shoqëruar nga familja, ai bëhet djali i buzëqeshur që me dashamirësi e quajnë ‘’zoti Luli Basha’’.




Skip to toolbar