31 të arrestuar për tërmetin, prokuroria: 125 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara

AKTUALITET


Ka shkuar në 31 numri i personave të arrestuar në Tiranë që akuzohen si përgjegjës për pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj bëri të ditur se prokuroria nisi hetimet për tërmetin që në datën 27 nëntor të vitit 2019 dhe ka bërë një punë voluminoze për evidentimin e banesave të shpallura të pabanueshme dhe personave përgjegjës për këtë. Ajo tha se deri tani në Tiranë janë evidentuar 25 institucione të dëmtuara, 125 janë pallate dhe mbi 200 banesa private që janë shpallur të pabanueshëm, si dhe janë identifikuar autorët, një pjesë e të cilëve janë arrestuar gjatë ditës së martë dhe disa gjatë të mërkurës, duke e çuar në 31 numrin e të arrestuarve gjithsej.

Drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupaj tha se është ngritur një grup i përbashkët pune mes prokurorisë dhe policisë së shtetit të cilët kanë hetuar në hollësi të gjithë dokumentete për të përcaktuar akuzat specifike për secilin person të arrestuar. “Kemi ngritur një grup të përbashkët pune për të evidentuar ndërtimet. Janë arrestuar 29 persona, ndërsa dy të tjerë sapo janë kapur dhe po kryhen procedurat e rastit. Së bashku me prokurorët kemi punuar gjatë për të përcaktuar në detaje fajësinë e personave të arrestuar. Bashkëpunimi me prokurorinë ka qenë shumë i mirë dhe rezultat kanë qenë konkrete”, tha Jaupaj.

Ndërsa Imeraj tha se operacioni është në vijim dhe se hetimet e prokurorisë vijojnë. Ajo tha se prokuroria ka hetuar në disa drejtime. “Në evidentimin e autorëve me detyra përkatëse në institucionet shtetërore. Në drejtim të marrjes së ndërtesave në kolaudim apo ndërtim. Për këtë arsye është marrë në konsideratë marrja e dokumentacionit për çdo ndërtesë që është shpallur e pabanueshme. Arrestimet e djeshme janë bërë për vepra penale të tilla si falsifikim dokumentesh, ndërtim i paligjshëm dhe shpërdorim detyre. Prokuroria po heton të gjithë objektet që janë konkluduar si të pabanueshme në mënyrë që të nxjërrë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës”, tha Imeraj.

Shumica e personave të arrestuar janë persona që kanë pasur funksione publike, ndërtues apo nënkontraktorë që nuk kanë plotësuar dosjet e ndërtimeve me dokumentacionet e duhura, ku në disa raste mungojnë studimet sizmiologjike që është akt i domosdoshëm, mungon oponenca teknike, mungojnë procesverbale të përfundimit të punimeve si dhe aktet mbi qëndrueshmërinë e objekteve.



Skip to toolbar