Mesditën e së enjtes u plagos në një atentat Julian Meçe dhe Plaurent Dervishaj i njohur si anëtar i bandës së Lul Berishës, dhe kunat i tij.
Referuar burimeve nga policia, gazeta Panorama shkruan sot se policia po heton disa pista: hakmarrja dhe larja e hesapeve, fajdet, trafiku i drogës dhe hasmëritë e vjetra.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se po punohet me intensitet të lartë për të zbardhur dhe identifikuar autorët e atentatit që qëlluan mbi mjetin, në të cilin ndodheshin Dervishaj dhe Meçe. Por, më tepër rëndësi u është kushtuar specifikisht dy pistave, hakmarrje dhe larje hesapesh.
Sipas burimeve do të jetë shumë e vështirë identifikimi i autorëve, pasi edhe të plagosurit nuk kanë bashkëpunuar me policinë për të dhënë detaje. Mësohet se gjatë dëshmisë së tij, Plaurent Dervishaj, i cili gjithashtu mbeti i plagosur ka pohuar se nuk ka arritur t’i dallojë apo identifikojë autorët që sulmuan me breshëri mjetin, me të cilin lëviznin ai dhe miku i tij.
Ndërsa pyetja e Juljan Meçes do bëhet në një moment të dytë, pasi të stabilizohet gjendja e tij shëndetësore. Ai ka marrë tre plumba, në kokë, këmbë dhe shpatull dhe nuk është në gjendje të dëshmojë për hetuesit e caktuar për këtë ngjarje.
Ai u plagos të enjten gjatë një atentati me 45 plumba ndërsa udhëtonte në autostradën Tiranë Durrës me automjetin e tij, në zonën e ish Kënetës.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Plaurent Dervishaj, i cili është kunati i Lulzim Berishës, për më shumë se një dekadë ka qenë një nga personat më të kërkuar nga Interpoli.