KQZ shkel afatin. Shtyn miratimin e grupeve të numërimit

AKTUALITET


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ndryshimin e vendodhjes së KZAZ Nr.11 në Kukës, e cila zhvendoset nga ambientet e palestrës së një shkolle në këtë qytet, në një ambient privat, hotel. Ky vendim i KQZ-së vjen fill pas sulmeve të dhunshme që militantët e PD-LSI, të nxitur nga kryetari i bashkisë Kukës, kryen ndaj materialeve zgjedhore në këtë KZAZ. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit u bë largimi paqësor i materialeve zgjedhore, të cilat tashmë do të qëndrojnë në ambientet e një hoteli, nga ku do të koordinohet puna për shpërndarjen e materialeve zgjedhore për datën 30 qershor.

Megjithatë, në mbledhjen e kësaj të shtune të KQZ-së kur u morën disa vendim, mes të cilëve dhe ai për ndryshimin e vendodhjes së KZAZ-së Nr.11, anëtarët vendosën që të shtyjnë për në mbledhjen e radhës, marrjen e vendimit për miratimin e “Për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. Por, çfarë parashikon Kodi Zgjedhor për ngritjen e grupeve të numërimit? Sipas Nenit 95 pika 1, për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së, 10 ditë para ditës së votimit, caktohen Grupet e Numërimit.



“Për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së, 10 ditë para ditës së votimit, caktohen Grupe Numërimi të Votave. Numri i grupeve të numërimit është dy për çdo tavolinë numërimi, sipas pikës 2 të nenit 94 të këtij Kodi. Anëtarët e grupeve të numërimit të votave duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e neneve 30 dhe 31 të këtij Kodi. Propozimet për emërimin e anëtarëve duhet të dorëzohen në KZAZ të paktën 12 ditë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në Nenin 95 pika 1 të Kodit Zgjedhor. Pra, praktikisht, KQZ-ja duhet të kishte miratuar ngritjen e grupeve të numërimit, por nuk dihet pse ky vendim është shtyrë për në mbledhjen e radhës.




Skip to toolbar