9-vjeçari ka lindur me një veshkë, qeveria garanton transplant falas

AKTUALITET


Qeveria ka financuar 100% transplantin e veshkës për Manuelin 9-vjeçar që ka lindur vetëm me një veshkë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë lajmin e mirë ndërsa ka vizituar familjen e 9-vjeçarit. Manuel Ferati ka lindur me një veshkë dhe që prej muajve të parë të jetës ka kaluar shumë kohë në spitale. Dy muaj më parë ka kryer transplantin e veshkës, të cilën ja ka dhuruar i ati, ndërsa financimi i ndërhyrjes së kushtueshme është mbuluar 100% nga shteti.

“Jemi të lumtur që këtë mundësi ja dhamë Manuelit, ne do e ndjekim në vazhdimësi shëndetin e tij. Manueli është pacienti më i vogël që ka kryer transplantin, duke marrë një zgjidhje përfundimtare, pa patur nevojë t’i nënshtrohet më procesit të dializës”, u shpreh Ministrja Manastirliu.


Aktualisht Manueli dhe i ati janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Manueli është pacienti më i vogël që ka përfituar nga transplanti falas dhe jemi shumë të kënaqur për këtë sepse për ne fëmijët janë të parët. Por Manueli nuk është i vetmi sepse janë 29 pacientë këtë vit që e kanë përfituar transplantin falas, duke zeruar listën e pritjes. Para disa vitesh as nuk mendohej të kryeshin të tilla procedura të tilla me financim nga shteti për shkak të pagesave të larta, kurse sot financohen 100% nga shteti. Ne do ta vazhdojmë dhe do ta shtrijmë edhe në sistemin publik transplantin”, tha Manastirliu.

Transplanti i veshkave është pjesë e paketave shëndetësore falas, të cilat financohen nga shteti në spitalet publike dhe jopublike. Që prej fillimit të kryerjes së transplantit falas 4 vite më parë, 90 pacientë kanë përfituar ndërhyrjen falas në sistemin jopublik, me dinancim 100% nga shteti.




Skip to toolbar