Kanosi Safet Gjicin, pushohet çështja ndaj ish-kreut të Këshillit të Qarkut Kukës

AKTUALITET


Nën monitorimin e kamerave të një biznesi dhe në prani të shumë dëshmitarëve, një vit më parë, ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës Abedin Oruçi kundërshtoi me dhunë dhe kanosi me armë punonjësit e policisë, të cilët shkuan për ta arrestuar.

Megjithatë prokurori kërkoi pushimin e procedimit penal ndaj tij dhe gjykata e aprovoi këtë kërkesë më 18 tetor të këtij viti. Ish-zyrtari lokal ishte i akuzuar për 5 vepra penale; “ndërtim i paligjshëm”, “kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”, “kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “kanosje për shkak të detyrës” e “armëmbajtje pa leje” dhe ka pothuajse një vit në arrati.

Vendim për pushimin e çështjes dhe pezullim të masave shtrënguese, gjykata ka marrë edhe për Ermir Markaj, Eglant Ollomanin, Gazmend Oruçin, Besmir Muçmatan, Zekria Shehun dhe Behar Durakun të cilët po ashtu kundërshtuan policinë gjatë ndërhyrjes se saj për arrestimin e ish-kryetarit të këshillit të qarkut.

Problemet me ligjin për Abedin Oruçin nisën në tetor të vitit të kaluar kur ai kanosi kryetarin e Bashkisë Kukës Safet Gjici dhe truprojën e tij.

Pas kësaj ngjarje ai u shpall në kërkim nga policia. Disa muaj më vonë në 13 janar 2021 policia kishte marrë informacion se Oruçi ndodhej në një hotel pranë urës së Drinit të Zi dhe shkoi për ta arrestuar, por hasi në rezistencën e tij dhe të të afërmve të cilët u përleshën me policinë dhe i kërcënuan ata me armë. Pas kësaj ngjarjeje policia arrestoi 6 persona ndërsa Abedin Oruçi mundi të arratisej. Gjatë kësaj kohe ai ka bërë disa kërkesa në gjykatë për zëvendësim mase sigurie, ku më e fundit mban datën 17 qershor të këtij viti. Pavarësisht se për përplasjen e Oruçit dhe familjarëve të tij me policinë ka prova të pakundërshtueshme, si pamjet filmike, dëshmitë e policëve të lënduar dhe dëshmitarëve okularë, prokurori i çështjes Xhevahir Lita kërkoi pranë gjykatës pushimin e çështjes ndaj të dyshuarve.

Më 18 tetor gjyqtari Sami Ujkashi në një seancë me dyer të mbyllua shpalli vendimin për të pushuar çështjen e këtij procedimi si edhe shuarjen e masave të sigurisë për të gjithë personat përfshirë edhe Abedin Oruçin, i cili kishte 1 vit që i shpëtonte drejtësisë. Nuk dihet nëse çështja do të apelohet brenda 15 ditësh sipas kodit të procedurës penale pasi ky vendim ngjall dyshime të forta për korrupsion.



Skip to toolbar