PS dhe bashkitë e drejtuara prej saj akordojnë fonde për tërmetin, shmangen bashkitë e LSI!

AKTUALITET


Partia Socialiste ka vendosur të japë në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti një fond prej 70 milionë lekësh, i cili do të gjenerohet nga fondet e selisë Rozë. Ky vendim është marrë të hënën paradite në mbledhjen e Kryesisë së PS, ku ndër të tjera është vendosur dhënia e kësaj shume financiare për rindërtimin e banesave të banorëve që u prekën nga tërmeti i rënë disa ditë më parë.

“Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste ti bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milionë lekësh. Partia Socialiste ka vendosur ti bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit”, u shpreh Elisa Spiropali pas mbledhjes së kryesisë.

Sakaq, po këtë të hënë, Bashkia e Elbasanit ka vendosur të japë 30 milionë lekë nga fondi i saj i emergjencave për rindërtimin e shtëpive të banorëve të prekur nga tërmeti. Vendimi është marrë në mbledhjen e këshillit bashkiak të kësaj të hëne.

Këtij solidarizimi i është bashkuar edhe Bashkia e Librazhdit e cila akordoi një fond prej 2.6 milion lekë të reja e po ashtu bashkitë e Gramshit dhe të Belshit. Bashkia e Prrenjasit, e drejtuar nga LSI, shprehet se nuk ka fonde ndërsa Bashkia e Cerrikut, gjithashtu e drejtua nga LSI, thotë se nuk e ka një udhëzim të tillë.



Skip to toolbar