Hajdari: Kolegët e PD janë penduar për mandatet

AKTUALITET


Rudina Hajdari është shprehur të mërkurën në një intervistë në A2 CNN se kolegët e PD-së e sulmojnë për shkak se janë penduar për djegien e mandateve dhe braktisjen e parlamentit.

 “Unë nuk do kisha sulmuar kurrë një koleg për vendimet që merr. Por, nuk më ka dhembur, thjeshtë sulmet më kanë bërë më të fortë. Nuk më ndikojnë sulme të tilla. Ato vijnë për shkak se janë bërë pishman për veprimin që kanë marrë dhe më vjen keq për disa prej tyre”,tha Rudina Hajdari.

Ajo u pyet për vendimin e presidentit për të çdekretuar datën e zgjedhjeve dhe tha se

Meta duhet të kishte diskutuar me palët politike në vend para se të merrte vendimin.

“Nuk kam parë te Presidenti një përpjekje për të pasur një dialogim mes palëve. Ai thotë se e bën këtë për të unifikuar popullin, por ai duhet të kishte pasur disa përpjekje paraprake, duhet të kishte dialoguar”, tha Hajdari.

Sa i përket deklaratave të ndërkombëtarëve në lidhje me krizën në vendin tonë, Hajdari u shpreh se deklaratat e tyre përdoren nga partitë në vend dhe kjo e thellon edhe më tej krizën. Deputetja thekson se kriza duhet të zgjidhet nga vetë ne.

“Po luhet shumë me pozicionin e ndërkombëtarëve. PS mundohet të marrë ndërkombëtarët që mbështesin qëndrimin e tyre dhe e kundërta. Përdorimi i deklaratave të ndërkombëtarëve e thellon më shumë krizën. Këtu jemi në një situatë krize dhe nuk mund të themi që njëra palë ka më shumë apo më pak të drejtë. Unë mendoj se ne duhet ta zgjidhim vetë këtë situatë”, u shpreh Rudina Hajdari.



Skip to toolbar