Këshilli i Ministrave të BE-së do të mblidhet të martën (sot, 18 qershor) në Luksemburg ku do të vendosë, nëse do të ndezë ose jo dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Do të jenë liderët e 28 shteteve anëtare të BE-së ata që do të vendosin për fatin e dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Pak javë më parë Komisioni i Europës bëri vlerësime pozitive në raportin e tij dhe rekomandoi çeljen e negociatave për të dy vendet, por fjala e fundit i mbetet Këshillit të Europës.
Kujtojmë se brenda unionit ka disa vende që janë kundër zgjerimit të BE-së, kryesisht Franca e Holanda, të cilët e konsiderojnë të parakohshme hapjen e negociatave.
Qershorin e kaluar vendimi u shty për 1 vit pas skepticizmit të tre vendeve, Holandës, Francës dhe Danimarkës.
Shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra, por gjithçka mbetet në dorë të vendeve anëtare.