Baze: Poshtërimi i SPAK nga Berisha, tregon problemin real që ka opozita 

Më të fundit


Në kushtet kur SPAK ka dërrmuar autoritetin e qeverisë duke arrestuar ministra, zëvendëskryeministër, deputetë, pesë kryetarë bashkie dhe rreth 40 zyrtarë të lartë, natyrisht çdo opozitë në botë do të ishte e lumtur. Në një farë mënyre SPAK po bën atë që ata nuk e bëjnë dot dhe po forcon në Shqipëri autoritetin e ligjit ndaj zyrtarëve të shtetit.

Kryeministri i vendit po i mban nervat dhe po kafshon gjuhën duke shtuar paralajmërimet ndaj të vetëve se janë të zbuluar para ligjit, duke i dhënë mbështetje SPAK.

Të njëtën gjë ka bërë dhe Lulzim Basha në emër të Partisë Demokratike zyrtare. Ai ka mbështetur çdo veprimtari të SPAK dhe ka pranuar se do të bashkëpunojë me drejtësinë për çdo rast, duke e njohur reformën në drejtësi si një vepër dhe të partisë së tij.

Përkundër tij, Sali Berisha, ai që pretendon se udhëheq opozitën më të madhe në vend, dje u shfaq në televizionin e djalit të tij, për të poshtëruar SPAK, duke i kërcënuar “të guxojnë të nxjerrin këmbën nga rrethi”.

E përsëriti disa herë duke folur me kode si një mafioz plak, që u kujton bashkëpunëtorëve ngjarje dhe histori që i “komprometojnë”, duke thënë fjali pa kuptim, ose me gjysmë kuptimi, duke përmendur emra në pushtet si të përzier me ta dhe duke këmbëngulur “po ua mbajti le ta nxjerrin këmbën nga rrethi.” 

Egërsia me të cilën fliste për SPAK, detajet që përmendte si kode mafiozësh, dhe historitë gjysmake që tentonte të tregonte, plotësojnë tërësisht portretin e një njeriu të kapur nga krimi dhe panikosur nga drejtësia, që në orët e fundit të tij bën si i fortë dhe dërgon mesazhe poshtëruese për të treguar që atë nuk guxojnë ta prekin.

Dhe në këtë anë, ai ka me vete historinë. Çfarë nuk ka bërë këto 32 vjetë dhe nuk e kanë prekur. Është i pari që ka shkatërruar zgjedhje, i pari që ka bërë luftë civile në vend me mijëra viktima, i pari që ka nxjerrë në pritë dhe ka vrarë themeluesin e PD, i pari që ka vrarë për të vjedhur në Gërdec, dhe i pari që ka pushkatuar njerëz pa u pyetur kurrë për asgjë nga këto me 21 ianar 2011. Si i tillë, ai e ka krijuar mitin e të paprekshmit në këtë vend, dhe kërcënimet e tij poshtëruese ndaj SPAK, ngjajnë të besueshme në vazhdimin e kësaj tradite.

Shumica e shqiptarëve besojnë vërtet se Berisha mund ta poshtërojë SPAK, mund t’i telendisë ata prokurorët dhe ata të mos guxojnë ta prekin për asgjë që ka bërë këto 32 vite. 

Por le ta lëmë mënjanë këtë se çfarë do bëj SPAK, se ajo është punë e SPAK, jo puna jonë. Puna jonë është të diskutojmë se si mund të jetë shpresë dhe opsion për pushtet në një vend, një udhëheqës opozite që gjithë energjitë e tij i harxhon të poshtërojë drejtësinë duke e kërcënuar të mos merret me të apo fëmijët e tij hajdutë.

Përveçse tregon arsyen e vërtetë pse ai nuk shkon në shtëpi, por shkatërron opozitën për hallin e vet, ai nga ana tjetër po na tregon ne më shpejt se SPAK (si me qenë Klodiana Lala), se djali i tij dhe vajza e tij janë nën hetime intensive, njëri për boronicat e Gërdecit (dhe jo 26 të vrarët e Gërdecit për ironi të fatit), e tjetra për aferën e klubit Partizani. 

Pra gjithë ai tërbim i Sali Berishës, gjithë ajo gjuhë mafioze me kode dhe turfullime shpellari, gjithë ajo përpjekje për t’i poshtëruar prokurorët e SPAK, janë thjeshtë gjuha e një njeriu të frikësuar që dekonspiron dhe motivin pse ai ka zaptuar opozitën. 

Një udhëheqës opozitar i qetë që synon pushtetin, do t’i kishte thurur sot SPAK, himnet më të mëdha të mundshme dhe mund të kufizohej vetëm nga droja se mos i thoshin se po përdor SPAK për të ardhur në pushtet, me ato që SPAK ka bërë kundër pushtetit. 

Vetëm Sali Berishës dhe opozitës sonë mund t’i ndodhë që SPAK praktikisht t’i lidhë kundërshtarin me pranga, dhe ky të ulërijë e t’i thotë mos mu afro se të vrava. Kjo tregon sa i kapur është lidershipi i opozitës dhe pse ai nuk ngjall shpresë kurrë.

Do të mjaftonte vetëm mënyra se si ai flet për SPAK, gjuhën mafioze që përdor, fokusimin e tij tek detaje për të na treguar se ai e përgjon SPAK çfarë bën natën dhe ditën, ku shkojnë, ku hanë, ku flenë, ku marrin dosje, ku blejnë letra higjienike etj., për të kuptuar se ky njeri nuk ka rival as Edi Ramën, as Lulzim Bashën, por SPAK. 

Pra “ai jeton e punon si në rrethim nga SPAK”, siç do thoshte Tritan Shehu dikur në rininë e tij. 



Skip to toolbar