Monedha shqiptare ka fituar përsëri terren ndaj valutave të huaja gjatë kësaj jave.Monedha europiane ka mbyllur javën me një trend në rënie dhe tashmë po këmbehet me 107 lekë.Vlerën më të lartë gjatë kësaj vere euro e preku në fund të gushtit ku u këmbye me mbi 110 lekë.
Që prej asaj periudhe ka pasur një trend rënës duke humbur rreth 3 pikë. Ndërkohë nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se monedha europiane është nënçmuar me rreth 10 pikë.
Në shtatorin e vitit 2022 një euro këmbehej me 117.7 lekë. Gjatë javës së fundit edhe pse euro është dobësuar ndaj lekut ecuria ka qenë me ritme shumë të ngadalta.
Agjentët e kursit të këmbimit e lidhin këtë zhvillim me vijimin e fluksit të turistëve edhe gjatë shtatorit duke sjellë më shumë euro në treg.
Banka e Shqipërisë vlerëson se monedha europiane mund të stabilizohet në muajt në vijim por niveli i saj përballë lekut pritet të jetë i ri. Forcimi i lekut shqiptar ndaj valutave të tjera është pozitiv për ekonominë shqiptare pasi ndikon direkt në nivelin e çmimeve të produkteve ushqimore apo karburanteve.