Task Forca e Veprimit Financiar, ndryshe e quajtur FATF dhe MONEYVAL nxorën Shqipërinë nga lista gri pasi forcoi luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të kësaj strukture theksohet ndër të tjera se monitorimi i shtuar ndaj vendit tonë u hoq edhe për shkak të përmirësimit në formalizimin e ekonomisë dhe zvogëlimin e rreziqeve që vijnë nga përdorimi i gjerë i parave, regjistrimi i informacionit mbi pronësinë në pothuajse të gjithë vendin si dhe krijimi i mekanizmave efektivë për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal në ekonomi. Po ashtu është plotësuar rekomandimi për sigurimin e informacionit të saktë dhe të përditësuar të përfituesve të pronësisë.
Në deklaratën e FATF thuhet se ndikim të madh në daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave ka dhënë edhe reforma në drejtësi. Kjo konfirmohet nga rritja e numrit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra penale të huaja ose pastrim të parave të palës së tretë.
Edhe pse nuk jepen detaje në deklaratë preket edhe amnistia fiskale për të cilën thuhet se FATF mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të respektuar parimet e kësaj strukture në rast se prezanton një program të Amnistisë Tatimore dhe Riatdhesimit të Pasurive në tëardhmen.
Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020.
Shqipëria ka një sërë përfitimesh nga nxjerja e listës gri ose e monitorimit të shtuar të pastrimit të parave. vendi ynë forcohet në arenën ndërkombëtare,rrit mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja si dhe ul kostot e borxhit publik.