Ikja e Matthew Perry, si një kujtesë për brezin tonë

BOTA


Ryan Coogan

Është e vështirë të dish saktësisht se si të reagosh kur vdes një personazh i famshëm. Në shumë kuptime, ne nuk po vajtojmë vërtet një qenie njerëzore; po vajtojmë një rol, ose një shfaqje që na ka ndikuar në një farë mase. Nëse nuk i njohim ata personalisht, nuk ka të ngjarë të jemi të trishtuar që nuk do i kemi më pranë. Nuk ndikon në të përditshmen tonë.

Jemi të trishtuar që nuk do të ketë më filma, apo episode, apo këngë, apo shaka prej tyre. Më shumë se kaq, mendoj se jemi të trishtuar kur papritur na kujtohet se po plakemi; se personi që e admironim teksa rriteshim nuk është më – dhe po ashtu edhe fëmijëria jonë. Ka diçka shumë egoiste në pikëllimin tonë.

Për shumicën prej nesh, vdekja e papritur e Matthew Perry është një tronditje e tillë, jo sepse ai ishte dikush që na argëtoi teksa rriteshim, por sepse ai – dhe seriali që dha një dorë për të krijuar – ka qenë i pranishëm në jetët tona, për kaq shumë kohë.

Nëse je fëmijë i viteve tetëdhjetë, nëntëdhjetë apo 2000, Friends është një prej atyre serialeve televizive që ti ndjen se ka qenë gjithmonë aty, i pranishëm. Sigurisht, përfundoi 20 vjet më parë, por është i ngulitur në kulturën tonë kaq shumë, saqë ndjehet pak si i kudogjendur. Mendoj se prandaj nuk e kanë ndjerë ndonjëherë nevojën që të ribashkohen për një film apo seri të re. Përse të ribashkohen? Ata kanë qenë gjithmonë aty.

Nëse teksa rriteshe, ke qenë një fëmijë në ankth që vinte veten në lojë për të shpërqëndruar bullistët në shkollë, personazhi i Chandler Bingut ka qenë ndoshta ndër të preferuarit e tu. Jam i sigurt që vetë Perry do të thoshte që nuk ka dashur kurrë që personazhi i tij të ishte një model, por ja që i tillë u bë.

Qarkullon në X dhe në facebook diçka që Perry ka thënë, kur është pyetur se cila do të jetë trashëgimia e tij pas vdekjes. Në librin me kujtime që botoi vitin e kaluar, Perry thoshte: “Kur të vdes, e di që njerëzit do të flasin për Friends, Friends, Friends… Kur të vdes, dua që Friends të renditet shumë prapa gjërave të tjera që bëra për të ndihmuar të tjerët. E di që nuk do të ndodhë, por do të ishte bukur”.

Ka të drejtë. Në fakt, trashëgimia e vërtetë e Perryt do të jeta puna e tij për të ndihmuar atë që vuajnë nga varësia, dhe në kuptimin material, ka të drejtë që e dëshiron. Sa i përket gjërave që kanë vërtetë rëndësi, ka shumë më tepër vlerë kur ndihmon dikë të përmirësohet, se sa të bësh një milion millenials nostalgjikë që të qajnë.

Por Perry si Chandler përfaqëson diçka për brezin tonë, që është e vështirë ta kuantifikosh.

Për brezin tonë mund të jetë e para humbje vërtet “e madhe” që kemi përjetuar kolektivisht. Ka të tjera ikona që kanë ikur nga kjo botë, sigurisht, por Perry ishte kombinimi i saktë i një personazhi jo dhe aq të ri por jo dhe aq të moshuar, që të bën të reflektosh për vdekshmërinë tënde.

Shumë prej nesh u rritën duke dashur të jenë si miqtë tek Friends, dhe tani na duhet të përballemi me faktin që shumica prej nesh janë më të moshuar sesa ishiin ata në disa apo të gjitha sezonet e serialit. Jemi të moshuar.

Të gjithë e dimë, në një nivel intelektual, se gjërat nuk zgjasin dot përgjithmonë. Por e kemi seriozisht apo jo, thellë thellë vazhdojmë të pretendojmë sikur ato në fakt zgjasin. Ikja e Perry është një kujtesë e pashmangshme se, në fakt, edhe kjo do të kalojë. Ndoshta është duke kaluar. Ndoshta disa gjëra edhe kanë ikur, dhe ne nuk e kemi vënë re. / The Independent – Bota.al



Skip to toolbar