Ashtu si edhe në protestat e tjera, ambasadat e huaja në vendin tonë kanë reaguar para protestës së opozitës duke deklaruar se çdo akt dhune është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve, ndërkohë që ka dënuar episodet e dhunës nga opozita në disa bashki gjatë kësaj jave.
SHBA
E para reagoi Ambasada e SHBA, ku me një deklaratë publikuar në faqen zyrtare, kërkon që në Shqipëri të vihet sundimi i ligjit, atë, që sipas SHBA-së, qytetarët shqiptarët meritojnë. “Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndërkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë të mbajnë përgjegjësi”, shkruhet në këtë deklaratë. Më tej, deklarata e ambasadës së SHBA-së vijon me një thirrje tjetër drejtuar institucioneve, ku padyshim përfshihen dhe drejtuesit politikë, për respektim dhe mbështetje të parimeve të sundimit të ligjit, duke refuzuar dhunën në çdo formë të saj.
Gjermania
Pas ambasadës amerikane, reagoi edhe ajo e Gjermanisë, një vend tek i cili ka mbështetur më së shumti shpresat opozita shqiptare. Ambasada e Gjermanisë ka vënë theksin fillimisht te dhuna e ushtruar nga opozita ndaj KZAZ-ve, duke i cilësuar trazirat e dhunshme, jolegjitime. Gjermania i ka bërë apel të fortë opozitës për mundësuar zhvillimin e një proteste paqësore, duke theksuar se dhuna është e papranueshme në një vend demokratik. “Një gjë është e qartë: mësymjet e dhunshme nuk janë mjete legjitime të përballjes politike. U bëj thirrje me forcë të gjitha palëve të heqin dorë edhe nga sulmet verbale e të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për vendin”, shkruan ambasadorja gjerma Schütz .
BE
Ndërsa ambasadori i BE, Soreca vetëm pak orë para mbajtjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës, ka bërë një deklaratë zyrtare drejtuar organizatorëve të protestës, ku u kërkon dhe u bën thirrje njëkohësisht të mos shkaktojnë dhunë, pasi do të jenë përgjegjës për të. “Dhuna nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë”, shprehet BE, që u thotë drejtuesve të opozitës se ata do të jenë përgjegjës kryesor për çdo incident, ndërkohë që mesazhi kryesor në deklaratë është thirrja për dialog. Thirrjen e BE e ka mbështetur edhe ambasada britanike në Tiranë, e cila ka shpërndarë të njëjtin qëndrim në faqen e saj, si në anglisht, ashtu edhe në shqip.
Italia
Edhe ambasada e Italisë në Tiranë ka shprehur shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të vendit. “Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurtë”, deklaron ambasada italiane, e cila bën thirrje edhe për policinë që të veprojnë me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen. Po ashtu, ambasada italiane në Tiranë “u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave”.