“Qëndrimi i Bardhit për Sazanin, i kompleksuar”, analistët: Politikë klienteliste. Nëse Trump humb garën, do shtojnë sulmet për projektin

Më të fundit


Rithemelimi mbështet projektin e dhëndrit të ish presidentit amerikan, Donald Trump në Sazan. Kreu i grupit parlamentar të PD dhe i sapoemëruar nënkryetar, Gazment Bardhi tha se mbështesin çdo investim të huaj, por sipas tij, duhet miratuar në transparencë dhe në përputhje me ligjin.

Analisti Frrok Çupi, duke komentuar këtë qëndrim të Bardhit në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, tha se problemi i opozitës nuk qëndron tek ishulli i Sazanit por tek vetë Donald Trump, i cili është në garë me presidentin aktual amerikane Joe Biden për të rimarrë sërish drejtimin e vendit.

“E tëra është një pozitë klienteliste, e cila tenton të miklojë Donald Trump pa e ditur se cila do të jetë e ardhmja e tij dhe duke mos dashur të dijë se edhe sikur të ndodhë që Trump të bëhet president i SHBA, kontaktet e para janë me qeverinë. Kjo është pak shumë e hapur si një thirrje e fundit që ta përdorim edhe këtë shans. Problemi nuk është te Sazani por tek Trump. Nëse Trump fillon të humbasë pikë në garën për Shtëpinë e Bardhë do të shtohen sulmet ndaj Sazanin. Është një politikë që për qytetarin nuk ka shpresë, kështu që nuk shikohet se do të marrë lopata ujë dhe se do të ketë një ndezje motorësh për opozitën. Është fjala për një kohë të shkurtër për të parë interesat e tyre në raport me maxhorancën, sepse mund të ketë një shpresë se do të shkelen disa parime të parlamentarizmit, se do të shkelen disa ligje dhe e gjitha do të përqendrohet te fjala e disa tipave dhe ndoshta mendja iu shkon se do të ulen edhe masat për Berishën por kjo është e pamundur”, u shpreh Çupi.

Ndërsa analisti Mentor Nazarko e cilësoi qëndrimin e Bardhit si të frikësuar.

“Ishte qëndrim i frikësuar, me kompleksitetin e frikës për të mos reaguar në mënyrë kritike. Me dëshirë do të reagonin në mënyrë kritike po të mos ishte fjalë për amerikanët, por një arsye tjetër që ka bërë këtë që të jetë qëndrim i kompleksuar, është që ata do të dëshironin që në kuadrin e kësaj detancës të përgjithshme që lidhet me krijimin e komisioneve hetimore, ata nuk do të dëshironin që e gjitha ngjyra e komunikimit të tyre ndaj qeverisë të ishte pozitive. Me këtë imponim por edhe për faktin se bëhet fjalë për Trump, në këtë rast, Bardhi zgjodhi një gjuhë të rrumbullakosur. Përdorimi i fjalës garë prej tij, ishte maksimumi i vënies në dyshim të këtij procesi. Është qëndrim korrekt por mendoj qëndrimi i tërësishëm i opozitës duhet parë jo thjesht nga Bardhi por nga të gjithë zërat që përfaqësojnë opozitën.”, shtoi Nazarko./abcnews.al



Skip to toolbar