Aksidentoi me vdekje dy gra dhe një fëmijë, burg doganierit

AKTUALITET


Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 47-vjeçarin Olsi Belortaja, doganierin që mbrëmjen e 30 qershorit aksidentoi për vdekje dy gra dhe një fëmijë në aksin rrugor Kapshticë-Bilisht.

Sipas prokurorisë, e cila kërkoi arrest me burg për 47-vjeçarin, në 30 qershor 2019, rreth orës 18:30, Olsi Belortaja, ishte duke qarkulluar me automjetin e tij të markës Benz me targë KO 775 0B në rrugën nacionale Kapshticë-Bilisht. Në një pjesë të kësaj rruge, konkretisht në kryqëzimin e saj me rrugën e fshatit Kapshticë, ishin duke ecur në këmbë Anjeza Gani, Valmira Çuko, të cilat me vete kishin dhe fëmijën Semi Çuko.

Në atë kryqëzim, automjeti i drejtuar nga Olsi Belortaja ka humbur kontrollin dhe ka goditur këmbësorët. Anjeza Gani dhe Valmira Çuko kanë ndërruar jetë menjëherë pas aksidentit, ndërsa fëmija Semi Çuko, është dërguar në spital në gjendje të rëndë, por më pas ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë. Menjëherë pas aksidentit Olsi Belortaja është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është kapur në afërsi të fshatit Zëmblak nga punonjësit e Policisë Gjyqësore. Prokuroria tha se doganieri, i cili shkaktoi aksidentin ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.



Skip to toolbar