Tite mund të largohet nga Brazili pas Copa America

SPORT


Brazili mund të mbetet pa trajner pas finales së Copa America. E përditshmja spanjolle “AS” ka publikuar një artikull në versionin ‘online’, ku shkuran se trajneri aktual i “Selecao”, Tite, mund të japë dorëheqjen edhe nëse Brazili fiton Copa America ndaj Perusë të dielën. Arsyeja e këtij vendimi mund të jetë mospërputhja e ideve me drejtuesin e ri të Federatës së Futbollit në Brazil, lidhur me projektet sportive që ka Rogerio Caboclo.

Gjithashtu, largimi i disa anëtarëve të stafit të tij drejtues, është një tjetër arsye më shumë, pse Tite mund të largohet nga bankina e Brazilit pas ndeshjes të së dielës. Pas ndryshimeve në radhët e drejtuesve të federatës, Tite është rikonfirmuar në krye të bankinës nga presidenti i ri. “Kemi besim te puna e trajnerit, do të ketë një mandat të përhershëm”, janë shprehur drejtues të CBF.

Por Tite nuk është shprehur ende për të ardhmen. Sipas mediave, ai pritet të flasë të shtunën në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Perunë. Trajneri Tite erdhi në krye të Brazilit, por jo gjithçka ka shkuar mirë. Dështimi në Kupën e Botës të Rusisë një vit më parë, polemikat e Neymar dhe cilësia e ekipit, kanë rritur presionin ndaj trajnerit brazilian, që ndoshta me fitoren e mundshme të Copa America, largimi i tij nga bankina do të ishte me nder.



Skip to toolbar