Basha thotë se është “shok” me Ramën (në izolimin ndërkombëtar)

AKTUALITET


Lulzim Basha ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, duke komentuar Samitin e Poznanit në Poloni, ku sipas kreut të PD-së, Shqipëria nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga 180 milionë euro që BE ka dhënë për vendet e Ballkanit Perndëimor. “Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019”, shkruan Basha.

Për kreun e PD-së, ky është ‘ndëshkim i qëllimshëm’ kundër qeverisë së lidhur me krimin, që sipas Bashës, BE do e mbajë Shqipërinë jashtë procesit të afrimit për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. “Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit evropian”.

Si përfundim, për Lulzim Bashën ky është “izolim ndërkombëtar” ndaj qeverisë së Edi Ramës, që do të sjellë pasoja direkte për Shqipërinë. “Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”, shprehet Basha.

Në fakt, Lulzim Basha flet për izolim ndërkombëtar, në një kohë që ai vetë kë më shumë se dy vjet, siç u shpreh Arben Imami të enjten në Real Story, që është “izolim” ndërkombëtar sidomos nga SHBA dhe administrata Trump. Ditët e fundit, Lulzim Basha, i cili po përballet me një furtunë reagimesh brenda së djathtës, me njerëz që kërkojnë largimin e tij, duket dhe më i braktisur nga ndërkombëtarët, të cilët i përcollën mesazhin para zgjedhjeve, se pas 30 qershorit e vetmja rrugë për opozitën ishte dialogu. Këmbëngulja e opozitës për të mos pranuar dialogun dhe mbajtja e protestës më 8 korrik, ka gjasa që të përkeqësojë dhe më tepër raportet e PD dhe Bashës me ndërkombëtarët, të cilët nuk lejuan prishjen e stabilitetit më 30 qershor.



Skip to toolbar