Zjarri që shkrumboi pallatin 12 katësh ka lënë pasoja të dukshme ndërsa ende nuk dihet nëse është prekur stuktura e ndërtesës.
Projekti i mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit përfshin edhe analizën konstruktive të objektit, ku në këtë rast pritet të bëhet përllogaritja e dëmeve të shkaktuara nga temperaturat e larta të flakëve.
Inxhinierët e ndërtimit pritet të kryejnë një vlerësim të detajuar për të përcaktuar nivelin e dëmtimit të strukturës. Në fokus do të jetë veçanërisht qëndrueshmëria e betonit dhe nëse ai ka pësuar dobësime të konsiderueshme si pasojë e nxehtësisë. Në varësi të rezultateve do të jetë një grup ekspertësh që do të marrë vendimin përfundimtar nëse godina mund të rikonstruktohet apo nëse ajo nuk është më e banueshme.
Ndërkohë, vlerësimi nuk do të kufizohet vetëm tek pallati i përfshirë nga zjarri. Edhe objektet përreth do t’i nënshtrohen kontrollit nga specialistë të fushës, për të përcaktuar nëse janë prekur nga temperaturat dhe flakët që mund të kenë depërtuar në strukturat e tyre.
Aktualisht pjesa e dëmtuar e pallatit është e pabanueshme dhe kthimi i banorëve aty është i pamundur në këtë fazë. Për rikthimin në normalitet kërkohet kohë, pasi çdo ndërhyrje apo rikonstruksion duhet të bazohet në ekspertizë të thelluar teknike dhe standarde sigurie.
