Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha nënshkroi ditën e djeshme në selinë qendrore të NASA-s në Uashington, Marrëveshjet Artemis, duke e bërë Shqipërinë pjesë të komunitetit ndërkombëtar të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.
Ministri i Jashtëm deklaroi se kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, duke hedhur kështu një tjetër hap drejt së ardhmes.
“Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen”, tha Hoxha.
Ky hap, sipas tij, i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Postimi i Ministrit Hoxha:
“Washington D.C – Një ditë krenarie për Shqipërinë.
Dje, në selinë qëndrore të NASA-s në Uashington, Shqipëria hodhi një hap tjetër drejt së ardhmes.
Në prani të Zëvendësadministratorit të NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson, pata nderin të nënshkruaj Marrëveshjet Artemis (#ArtemisAccords), duke e bërë Shqipërinë pjesë të një komuniteti ndërkombëtar në rritje, të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, në dobi të gjithë njerëzimit.
Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen.
Ky hap i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke pasqyruar angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj.
Shqipëria është gati të kontribuojë dhe të arrijë shumë më tej”.


