Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar debatin politik dhe juridik rreth Gjykatës Speciale dhe dënimin me 81 vite burg ndaj ish krerëve të UÇK.
Bislimi u shpreh se, sipas tij, PDK-ja, por edhe politikanët në Kosovë, po i ikin thelbit të problemit, duke u fokusuar kryesisht te aspekti juridik.
Sipas tij, gabimi i PDK-së është se debati po thellohet vetëm në problemet juridike, ndërsa paralajmëroi se në të ardhmen mund të shfaqet edhe një problem politik me Gjykatën.
Bislimi argumentoi gjithashtu se Gjykata Speciale nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
“ PDK, por edhe politikanët në Kosovë, po i ikin thelbit të problemit. Ramush Haradinaj, në një video, e quajti se “po ndërtojmë një monstrum”. Kjo gjykatë ka dalë nga binarët. Sot gabimi te PDK është se po thellohemi vetëm në problemet juridike.
Nesër do kemi një problem politik me gjykatën. Ne nuk mund ta zhbëjmë nga ana legale, sepse tani vetëm quhet që është pjesë e saj. Ajo gjykatë nuk ka të bëjë me sistemin e Kosovës. Ajo është edhe në hapësirën gjeografike jashtë Kosovës, nuk është marrë fare me juridiksionin e Kosovës. Problemi që kemi me këtë gjykatë është që po vazhdojmë legjitimitetin politik që është e Kosovës. Kjo gjykatë nuk është e Kosovës.”


