“Zgjedhja e Avokatit të Popullit, e ligjshme”, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD

AKTUALITET


Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike që kundërshtonte procedurën e zgjedhjes së Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Vendimi i Gjykatës i jep fund përplasjes ligjore të nisur pas zgjedhjes së Shabanit nga Kuvendi, më 11 dhjetor 2025. PD kishte kërkuar verifikimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi, si dhe shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e tij, duke e konsideruar procesin në kundërshtim me Kushtetutën.

Çështja u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese pas kërkesës së të paktën një të pestës së deputetëve të Kuvendit. Në kërkesën e tyre, deputetët kërkuan verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërive në ushtrimin e funksionit nga Shabani, si dhe pezullimin e vendimit të Kuvendit.

Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit. Sipas kuadrit kushtetues, Avokati i Popullit zgjidhet nga Kuvendi me tri të pestat e të gjithë anëtarëve dhe ushtron mandatin për një periudhë pesëvjeçare.

Shabani u zgjodh në këtë detyrë në dhjetor 2025, ndërsa PD e kundërshtoi procedurën duke pretenduar se gjatë procesit ishin shkelur rregullat ligjore për kandidaturat dhe mbështetjen e tyre.



Skip to toolbar