Kryeministri Rama ka thyer “heshtjen politike” prej një jave, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, duke dhënë mesazhe të qarta si për opozitën, Presidentin, por edhe strukturat brenda Partisë. Veç organizimit të Partisë Socialiste, ai deklaroi prerazi se nuk do të ketë ndryshime në qeveri dhe se detyra e parë është shkarkimi i presidentit. Po ashtu, kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje edhe opozitës, e cila vetëm pak minuta më herët kishte deklaruar se po përgatit planin për zgjedhje të parakohshme.
Pas mbledhjes së kryesisë së PS, me batuta, ai ka pranuar t’u përgjigjet interesimit të gazetarëve. Nuk kisha ndërmend të flisja, por meqë ishit këtu në diell… Sot kemi bërë një diskutim mbi gjithë pasqyrën e 30 Qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki, kemi diskutuar po ashtu për mbledhjen e asamblesë kombëtare, ku sigurisht do të flasim për çka është bërë dhe atë që do të bëjmë në vijim pas pushimeve dhe gjëja më e rëndësishme është që kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin e PS-së”, deklaroi Rama. Ai ritheksoi qëndrimin e qartë të mbajtur edhe gjatë fushatës se në çdo bashki që deri dje është qeverisur nga e djathta për të mos shfaqur asnjë tendencë tradicionale prej pushtuesish në këto bashki, duke i respektuar të gjithë dhe se do të ketë transparencë për të gjitha lëvizjet që mund të jenë të nevojshme.
Po interesi parësor i gazetarëve kanë qenë ndryshimet në qeveri, të cilat fliten prej disa ditësh edhe nga paralajmërimet që vetë kryeministri kishte bërë nëpërmjet kërkesës për realizimin e detyrave nga secili ministër. Megjithatë, ai është shprehur i qartë; “Nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që burojnë nga temperaturat e larta”. “Nuk kam deklaruar që do të ketë ndryshime, kam thënë se janë një sërë detyrash për t’u bërë dhe janë bërë, nuk ka nevojë për ndryshime”, u shpreh kryeministri, duke nënkuptuar se kjo nuk është detyra primare e mazhorancës.
Sipas kryeministrit, fillimisht do bëhet shkarkimi i Presidentit, megjithëse nuk ka dashur të japë një emër pasardhës të Metës. “Ju e dini që unë jam tre lëvizje para, por ende nuk kemi shkuar te kjo lëvizje për të dhënë përgjigje. Lëvizja e radhës është procesi që është në parlament, do të kemi kohë të flasim për lëvizjen tjetër. Ia kemi dalë të ndërtojmë një proces që i ka mbijetuar të gjithë lëvizjes së dhunshme antishtet dhe antizgjedhje. Tani kemi të dhëna të bollshme për të vepruar më tutje, e dimë shumë mirë çfarë potencialesh, po ashtu jemi të vetëdijshëm që kemi shumë për të përmirësuar në nivelin e organizimit të partisë, në nivelin e qeverisjes vendore dhe qendrore”, deklaroi kryeministri.
Madje, ky rezultat duket se i ka dhënë mazhorancës dhe më shumë siguri për të mos u tërhequr nga presioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e kryeministrit. “PS dhe kandidatët tanë kanë marrë mbështetje jashtë çdo pritshmërie në kushtet që janë zhvilluar këto zgjedhje dhe mbi këtë bazë kemi filluar punën për ndërtimin e rrugës për zgjedhjet e vitit 2021”, deklaroi Rama, duke i prerë hovin opozitës për zgjedhje të parakohshme.
Rama u pyetet edhe për deklaratat e Presidentit Ilir Meta, sipas të cilit kryeministri i kishte çuar një mesazh ku i thoshte se do të eliminonte LSI-në. Kreu i qeverisë i është përgjigjur me ironi dhe tallje. “Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën, se opozita është në kapacitete të plota për t’u vetë eliminuar në një rrugë që e ka zgjedhur vetë qorrazi”, tha kryeministri.