Policia italiane ka zbuluar detaje të reja për vrasjen me thikë të 18-vjeçari shqiptar Ermal Halili të martë në Udine, i cili ndërroi jetë në spitalin e Udines. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në një park në lagjen San Domenico në Udine, ku 18-vjeçari u godit me thikë gjatë një sherri të dhunshëm me një 17-vjeçar shqiptar tjetër. Autori i krimit rezulton se është një minoren i pashoqëruar shqiptar në Itali i cili strehohet në qendrën e emigrantëve minorenë në Udine “Don De Roja”.
Ndërtimi i ngjarjes nga policia italiane ka zbardhur se motivi i këtij krimi ka qenë një grindje mes dy shqiptarëve pas një ndeshje futbollit zhvilluar ditën e diel më 21 korrik 2019. Autori i krimit i kishte kërkuar viktimës të takoheshin për t’u sqaruar ku i ka kërkuar dhe falje. Por 18-vjeçari Ermal Halili nuk ka pranuar ta falë, fakt që ka shtyrë 17-vjeçarin ta godasë me një thikë kuzhine të përmasave të mëdha. Viktima është kundërpërgjigjur, duke e goditur me grykën e një shisheje të thyer.
18-vjeçari Ermal Halili është dërguar me urgjencë në spitalin e Udines ku dhe është operuar, por plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse për të riun shqiptar. Do të jetë autopsia që do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Triestes, e cila do të zbardhë detajet e goditjeve që kanë shkaktuar vdekjen e shqiptarit që sipas mjekëve të Udines kanë prekur zemrën. Në momentin e ngjarjes ka qenë i pranishëm dhe vëllai binjak i viktimës. Autori i krimit është vënë nën pranga me akuzën e vrasjes së me dashje.