Të enjten në orën 09:00, Lulzim Basha është thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rëna, në lidhje me dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Basha do të duhet të dëshmojë para prokurorëve shqiptarë dhe katër të ardhur nga Belgjika, në lidhje me faktin se si e ka marrë informacionin, që në makinën “Toyota Yaris”, gjendeshin 3.4 milionë euro, tashmë të sekuestruara. Të martën, PD konfirmoi se Basha ishte i gatshëm të bashkëpunonte për këtë dosje, por nuk saktësoi nëse ai do të shkonte apo jo nëprokuri.
“Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes. Zoti Basha është në kontakt me autoritetet belge dhe mbetet ne pritje te rakordimit me to per menyren e bashkepunimit”, raportonte një media në vend, duke cituar burime brenda PD.
Megjithatë, ajo që mbeti e pakonfirmuar është pikërisht fakti nëse Basha do të shkojë apo jo në prokurori, për të dëshmuar, ku do të duhet të tregojë ato që ai di në lidhje me këtë çështje. 3.4 milionë eurot e gjetura në mjete “Toyota Yaris”, u sekuestruan në 24 qershor të 2018, pas një aksioni të policisë së shtetit në portin e Durrësit.
Ndërkohë, Lulzim Basha e denoncoi i pari në Kuvend çështjen. Hetimet për këtë dosje vijojnë paralelisht në Shqipëri dhe Belgjikë, pasi shteti belg ishte vendi nga kishin ardhur eurot në Shqipëri. Deri më tani janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.