Partizani do të përballet të enjten me Sherif Tiraspol, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Europa League. 24 orë para këtij takimi, trajneri i të kuqve, Franko Lerda u shpreh se kundërshtari është një ekip që ka pasur ecuri të mirë në vitet e fundit, për këtë arsye, Partizani do e vlerësojë maksimalisht.
“Sigurisht që kemi një kundërshtar që do ta vlerësojmë maksimalisht, duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Është një skuadër që këtë sezon ka ndryshuar mjaft lojtarë. Por ne do ta vlerësojmë maksimalisht”, tha Lerda.
Më tej trajneri i të kuqve është shprehur se nuk shqetësohet për faktin që ekipi i tij s`shënon, por rëndësi ka që të krijojë raste. “Skuadra ka krijuar shumë raste në 2 përballjet e Champions, por nuk kemi arritur të realizojmë. Kjo nuk është problem. E rëndësishme është që ne të krijojmë raste”.
Por a do të tentojë Partizani kualifikimin ndaj Sherif Tiraspol? Lerda mbetet me këmbë në tokë, duke u nisur dhe nga eksperienca e parë në Champions League. “Detyrim për ne është që të japim maksimumin. Të zhvillojmë me përpikmëri të gjitha ato që kemi zhvilluar në stërvitje. Për sa i përket kualifikimit ajo do të jetë në vazhdimësi të këtyre që thashë. Parësore për mua është të sulmojmë në grup dhe të mbrohemi në grup si skuadër. Ky është objektivi që kam unë”.