Sillet nga Gjermania anëtari i bandës “Vakëf”, historia e vrasjes makabre

AKTUALITET


Byniamin Hajro, një nga anëtarët e bandës famëkeqe “Vakëf” në Berat është sjellë me pranga nga Gjermania, ku ishte arrestuar gjatë një operacioni të Interpol, pasi prej 21 vitesh rezultonte në kërkim për një nga masakrat më të rënda të ndodhura në Berat në vitin 1997, kur dy të rinj, u rrëmbyen, u dhunuan për 24 orë dhe në fund, ata u lidhën dhe u lyen me benzinë, duke i djegur të gjallë.

Hajro akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Arjan Avdullait dhe Eduart Pemës, ngjarje e ndodhur më datë 3 qershor 1997 në orën 10:30 në lagjen “Jani Vruho”, në Berat.

Dy të rinjtë janë marrë peng nën kërcënimin e armëve më 3 qershor 1997 në Berat. Ata janë mbajtur një natë duke u keqtrajtuar në një garazh dhe të nesërmen, në mes të Beratit, trupat e tyre janë lyer me benzinë, janë lidhur dhe u është vënë flaka. Viktima të krimit makabër ishin Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.  17 vjet më vonë, katër persona dërgohen në gjyq të akuzuar për ngjarjen e rëndë. Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj shtetasve Kudret Zhuka (i arrestuar në dhjetor 2013), Kastriot Frashëri, Byniamin Hajro dhe Gazmend Hoxha, të cilët i akuzon për ngjarjen e rëndë të vitit 1997.

Sinjali i parë që solli rihetimin e ngjarjes u mor nga një efektiv policie që mësoi se familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat ishin larguar jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes. Megjithatë, prova vendimtare që siguroi prokuroria, provë e cila zbardhi edhe krejt ngjarjen, ishte dëshmia e shtetasit Ronaldo Pema. Vëllai i njërit prej viktimave (Eduart Pemës), kishte qenë bashkë me të vrarin në momentin kur makina e autorëve ndaloi aty dhe të akuzuarit me armë në kokë e detyruan të riun të hipte në mjetin e tyre për ta çuar te vendi i keqtrajtimit. Prokuroria bën me dije se ka pasur vështirësi të mëdha në hetimin e ngjarjes, pasi viktimave me vështirësi u janë gjetur edhe varret.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë e mundur kryerja e veprimeve hetimore për shkak të vitit 1997. Hetimi për ngjarjen nisi një vit më vonë, më 1998. Pas shumë përpjekjesh, më 17 prill 2012 është vendosur rifillimi i hetimeve për shkak të deklarimeve të dhëna nga shtetasi Bledar Pema (ndryshuar emri në Ronaldo Pema). Ai ka thënë se më 2 qershor 1997, rreth orës 17:00 të pasdites ka qenë me vëllain, Eduart Pema, duke ndenjur në trotuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf”, afër spitalit “Befotrof”.

Gazeta Panorama ka risjellë të plotë dëshminë e dhënë në polici nga vëllai i njërit prej viktimave, Ronaldo Penama.

 “Vjen nga lagjja ‘Vakëf’ një makinë veturë e tipit ‘Benz’, ngjyrë e bardhë, me targa Berati, numrat nuk i kam të fiksuar. Makina ndaloi para këmbëve tona. Prej saj zbresin 4 persona, që arrita t’i njihja. Ishin: Byniamin Hajro, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kudret Zhuka, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kastriot Frashëri, banor i lagjes ‘Kushtrim’, aktualisht mbahet në Burgun e Kosovës në Lushnjë, dhe Gazmend Hoxha, banor i lagjes ‘Kushtrim’. Të gjithë personat, kur zbritën nga makina në duar mbanin automatikë kallash. Makinën e drejtonte Byniamin Hajro. Këta persona afrohen drejt nesh me automatikë në duar. Sa mbërrin aty Byniamin Hajro së bashku me Kudret Zhukën, i thonë Eduartit ‘futu në makinë’. Ai nuk kundërshtoi, por u fut në makinë menjëherë, u ul në sediljen mbrapa mes Gazmend Hoxhës dhe Kastriot Frashërit. Makina iku në drejtim të shtëpisë së Byniamin Hajros. Unë nuk reagova pasi në atë kohë isha vetëm 13 vjeç dhe personat ishin të armatosur. Shkova në shtëpi. Aty gjeta mamanë, Hamiten, babain, Novruzin, dy vëllezërit, Sokol dhe Haxhi Pema. U thashë se Eduartin e morën nën kërcënimin e automatikëve Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha. Familjarët u shqetësuan, por duke pasur parasysh me kë kishin të bënin, nuk bënë asnjë veprim konkret. Më pas, unë, pasi pashë se nuk po vinte vëllai, u nisa për të shkuar drejt shtëpisë së Byniamin Hajros. Ora ka qenë rreth 17:30 e datës 2 qershor 1997 dhe pashë te garazhi i Byniaminit vëllain tim Eduartin të lidhur me tel me gjemba me duar mbrapa, të shtrirë në tokë dhe që katër personat e morën dhe e qëllonin me qytë automatiku. Garazhi ishte i hapur, qepeni ishte i ngritur lart. U tregova familjarëve për atë që kisha parë. Ata u shqetësuan dhe thane që ‘nuk kemi çfarë t’u bëjmë atyre se ata të vrasin’. Policia nuk funksiononte. Të nesërmen u ngrita në orën gjashtë të mëngjesit, shkova te garazhi i Byniaminit për të parë nëse ishte vëllai aty apo jo. Dera e garazhit ishte e hapur, brenda tij pashë Bynaimin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Të shtrirë në dyshemenë e garazhit të lidhur me tela me gjemba pashë vëllain tim Eduartin dhe Arjan Avdullain. Katër personat, Bynaimin Hajro, Kudret Zhuke, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha lidhën me një tel te ganxha e rimorkimit nga mbrapa të një makine ‘Golf’ me ngjyrë si gri me targa Berati, numrat nuk i mbaj mend, dy trupat e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullajt. Mbasi i lidhën, katër personat hipën në makinë, si shofer hipi Gazmend Hoxha, në sediljen e parë si pasagjer u ul Kastriot Frashëri, ndërsa Kudret Zhuka dhe Byniamin Hajro hipën në sediljen e pasme. Ndezën makinën dhe u nisën drejt sheshit të lagjes ‘Vakëf’, dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin ‘Vakëf’. Unë nuk iu ndava nga mbrapa makinës që i tërhiqte zvarrë deri te sheshi. Aty makina ndaloi, zbritën prej saj Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha, të gjithë me automatikë në dorë. Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha shkuan dhe zgjidhën telin te ganxha e makinës. Mbasi i zgjidhën telin këta të dy hapën derën e bagazhit të makinës e nxorën prej saj një shishe qelqi, me sa kam të fiksuar, mund të ketë qenë njëkilëshe, dhe me lëngun që kishte ajo spërkatën dy trupat e Eduartit dhe të Arjanit. Mbas spërkatjes, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha iu vunë flakën. Trupat morën flakë dhe në këtë moment Arjan Avdullaji u ngrit në këmbë dhe filloi t’i shante Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Në këtë kohë Gazmend Hoxha gjuajti me automatik me breshëri drejt Arjan Avdullajt dhe e la të vrarë në vend. Mbasi bënë këtë veprim Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha u larguan. Kufomat e të dyve vazhduan të digjen. Unë në këtë kohë shkova në shtëpi dhe u thashë pjesëtarëve të familjes për ngjarjen që kishte ndodhur”, ka dëshmuar vëllai i viktimës.



Skip to toolbar