Gjobë 350 mijë euro, iu kapën 233 tonë benzinë pa akcizë në Porto Romano

AKTUALITET


Aksioni anti-informalitet nuk kursen askënd dhe këtë kryeministri Rama nuk heziton ta përsëritë çdo ditë. Rama ka lajmëruar përmes një postimi në Facebook goditjen e një tjetër rasti për paligjshmëri dhe tregtim të hidrokarbureve pa akcizë. “Një depozite në Porto Romano në Durrës është gjobitur me një shumë të madhe, pasi ka mungesë në deklarimet e saj për 233 mijë litra benzinë. Subjekti ka marrë një gjobë prej 350 mijë eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5-fish dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit”, shprehet Rama, i cili i bën thirrje bizneseve të zbatojnë ligjin, pasi operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore, jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës.

Nga verifikimi rezulton se aksioni anti-informalitet ka goditur sërish subjektin e hidrokarbureve Gega Oil, pasi është kapur me shkelje. ndërsa vetëm pak ditë më herët, subjektit Gega Oil iu bllokua një pikë furnizimi për shkak të problemeve me pompat e furnizimit. Ndaj Gega Oil që kishte bërë shkelje është vendosur një gjobë e majme prej 350 mijë eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5 fish dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit dhe revokim të licencës.

Ky zbulim evazioni ka ardhur në saj të aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet e komplekset me të famshme të vendit. Strukturat e Administratës Doganore në kontrollet e tyre janë fokusuar te sektori i  hidrokarbureve dhe produktet e akcizës.

Në inspektimin e bërë në Porto Romano ka qenë e pranishme Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i doganave Arlind Gjokutaj, i cili tha se kjo është shkelje për herë të parë dhe për këtë arsye penaliteti që aplikohet është 1-fish mbi vlerën e detyrimit. Në rast përsëritje do të jetë 3-fish dhe për herë të tretë shkon deri në 5-fish të detyrimit dhe revokim të autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.

“Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha Gjokuta.

Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet alkoolike, kafeja,etj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se po bëhet një analizë e plotë me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.

 “Ne do të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta luftuar atë. Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.

Në fund ministrja Denaj i bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë. Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi.

Për shkeljen e mëparshme Administratori i ‘Gega Oil’ , Paulin Gega është shpallur në kërkim pasi akuzohet për pastrim parash dhe evazion fiskal në shuma të konsiderueshme. Prokuroria nxori një urdhër ndalimi për Gegën, por rezulton se ky i fundit është larguar nga Shqipëria. Po ashtu 4 vite më parë ai ishte proceduar nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave. 

Megjithatë, në një reagim për mediat, Gega ka mohuar që të ketë shkelur ligjin, ndërsa sa tha se nuk i është shmangur drejtësisë, por ka ikur me pushime në Greqi, të cilat i kishte planifikuar kohë më parë. Ai ka mohuar akuzat se kompania e drejtuar prej tij ka kryer evazion fiskal apo fshehje të të ardhurave, ndërsa theksoi se “Gega Oil” vijon aktivitetin pa ndërprerje në të gjithë vendin.

Prej dy muajsh në të gjithë vendin po ndërmerret një aksion i gjerë kundër informalitetit, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet, komplekset, bizneset e dyqanet e deri tek karburantet dhe tregtimi i hidrokarbureve.

ERTV Live😊: STOPINFORMALITETIT✋Porto Romano, Durrës – Zbulohet depozita me mangësi në deklarimin e 233 mijë litra benzinë dhe aktivizohet masa ligjore👊Operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore; jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës, për t'u përballur me #ZeroTolerancë🤜ndaj abuzuesve

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 11. August 2019


Skip to toolbar